Incidenti ajror, Rusia dërgon sistemin s-300 në Siri

schedule22:38 - 24 Shtator, 2018

schedule 22:38 - 24 Shtator, 2018

Pas fajësimit të Izraelit për incidentin ku humbën jetën 15 ushtarakë rusë, Moska ka paralajmëruar dërgimin e sistemit të raketave tokë-ajër S-300 në Siri, duke alarmuar si shtetin hebre edhe Shtetet e Bashkuara.

Rusia ka deklaruar të hënën se do të furnizojë me raketa tokë-ajër S-300 Sirinë, pavarësisht kundërshtimeve të Izraelit. Lëvizja e Kremlinit vjen pas rrëzimit të avionit ushtarak rus javën e kaluar, incident për të cilin Moska fajëson shtetin hebre. Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu ka deklaruar se më parë Rusia i ka marrë parasysh kërkesat e palës izraelite, por pas incidentit që i mori jetën 15 ushtarakëve rusë situata ka ndryshuar. “Na duhet të marrim masa për të garantuar sigurinë e trupave tona. Për këtë arsye, një sistem mbrojtës S-300 do të dërgohet në Siri brenda dy javësh”, ka deklaruar Shoigu. Sidoqoftë, burime nga Kremlini kanë bërë të ditur se presidenti Vladimir Putin e ka diskutuar vendimin e tij me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, në një bisedë telefonike të zhvilluar të hënën. Agjencia “Reuters” bën me dije se Netanyahu ka shprehur shqetësimin se pajisja e Damaskut me armatime të avancuara do të rrisë rrezikun në rajon. Lidhur me njoftimin e rusëve ka reaguar edhe Shtëpia e Bardhë, që ka deklaruar se një lëvizje e tillë do të përshkallëzojë konfliktin 7-vjeçar. Sipas versionit të Moskës, avioni rus u qëllua gabimisht nga pala siriane, pasi disa avionë luftarakë izraelitë bombarduan një objektiv në të njëjtën zonë. Ndaj për Kremlinin, faji është i palës izraelite që krijoi rrethanat që çuan në incident. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!