Në fund të prillit, Katedralja Kombëtare në Uashington zbuloi bustin e të mbijetuarit të Holokaustit dhe të aktivistit politik, Elie Wiesel, për të nderuar trashëgiminë e tij si mbrojtës ndërkombëtar i të drejtave të njeriut.
Por, në vendlindjen e laureatit të Nobelit, Rumani, ish-udhëheqësi nazist, marshalli Ion Antonescu – një njeri që dërgoi qindra mijëra hebrenj drejt vdekjes – ka një rrugë me emrin e tij.
Sipas Institutit për Studimin e Holokaustit “Elie Wiesel”, në Rumani janë së paku 17 vende që kanë rrugë, buste ose institucione të emëruara sipas kriminelëve të luftës.
Ata përfshijnë Antonescun, i cili u ekzekutua në vitin 1946, pasi u dënua nga Tribunali i Popullit për krime lufte dhe tradhti; Radu Gyrin, një poet që mbështeste një grup paraushtarak fashist, të njohur si Garda e Hekurt, dhe filozofin dhe politikanin e ekstremit të djathtë, Mircea Vulcanescu, i cili shërbeu në Qeverinë e Antonescut.
Rrugët dhe bustet ekzistojnë pavarësisht një ligji të miratuar në vitin 2002, i cili e bën të paligjshëm nderimin e kriminelëve të luftës ose njerëzve të lidhur me regjimin fashist të Rumanisë, gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Atëbotë sundonte Antonescu dhe qindra mijëra hebrenj rumunë dhe ukrainas, që jetonin në zonat e kontrolluara nga Bukureshti, u vranë.
“Regjimi i Antonescut vrau numrin më të madh të hebrenjve në Evropë, pas Gjermanisë naziste”, tha për Radion Evropa e Lirë Andrei Muraru, këshilltar i Qeverisë rumune për antisemitizmin.
“Rumania nuk ishte thjesht aleate naziste, ajo ishte ndër aleatët më të rëndësishëm dhe ishte e përfshirë në një shkallë të konsiderueshme – krahasuar me aleatët e tjerë nazistë – në planin për shfarosjen e popullsisë hebreje në Evropë”, shtoi ai.
“Rruga Antonescu”
Porti rumun Konstanta, në Detin e Zi, ka një rrugë me emrin Ion Antonescu qysh në vitin 2000.
Në muajin shkurt, kryebashkiaku Vergil Chitac u pyet në lidhje me figurën e diskutueshme dhe ai tha se ka “vlerësime të ndryshme kontradiktore” të Antonescut, i cili, sipas tij, kishte “të kaluar të përzier”.
Deklarata ishte ndoshta referencë për vendimin e Antonescut për të ndaluar dëbimin e hebrenjve në kampe përqendrimi pas vitit 1942, pas ndërhyrjes së raportuar të familjes mbretërore të Rumanisë.
Instituti “Elie Wiesel” tha se “është shqetësuese që kryetari i bashkisë [Konstanta] e konsideron si opsional ligjin që e bën të paligjshëm emërimin e rrugëve sipas kriminelëve të luftës”, raportuan mediat lokale.
Chitac tha më vonë se komentet e tij janë shtrembëruar dhe këmbënguli se ai dëshiron ta ndryshojë emrin e rrugës, edhe pse ky është një proces i komplikuar.
“Janë 40 raste [të mohimit të Holokaustit], nga të cilat 15 janë klasifikuar ose nuk do të ndiqen penalisht”.
“Prokurorët nuk i kanë kapacitetet e nevojshme [për t’i gjykuar këto krime]. Ata kanë mungesë të asaj që ne e quajmë praktikë të mirë në parandalimin dhe luftimin e antisemitizmit në një shtet të BE-së”, tha Muraru.
Antisemitizmi shoqëror?
Në zgjedhjet parlamentare të dhjetorit të kaluar, një parti populiste e ekstremit të djathtë u shfaq si forcë e madhe politike në Rumani, duke sjellë në plan të parë antisemitizmin, homofobinë dhe nacionalizmin.
Pas rezultatit të dobët në zgjedhjet lokale të vjeshtës, më 2020, Aleanca për Bashkimin e Rumunëve – akronimi i së cilës, AUR, do të thotë ar në rumanisht – doli befasisht partia e katërt në zgjedhjet parlamentare.
AUR thuhet se përfitoi nga zhgënjimi i qytetarëve me trajtimin e pandemisë së koronavirusit nga ana e Qeverisë.
“Kriza e vazhdueshme shëndetësore dhe mjekësore solli një parti ekstremiste, radikale në hapësirën publike – me një dukshmëri maksimale”, tha për Radion Evropa e Lirë Alexandru Florian, drejtor i zyrës së Institutit “Elie Wiesel” në Bukuresht.
AUR aktualisht mban rreth 10 për qind të vendeve në secilën dhomë të Parlamentit të Rumanisë.
Senatorja e AUR-it, Diana Sosoaca, e cila e kundërshton vaksinimin kundër koronavirusit, së voni marshoi para Ambasadës ruse në Bukuresht, “për t’i kërkuar falje” Moskës, e cila nga shumica e rumunëve konsiderohet si armike.
Incidenti në teatrin hebre
Më 27 mars, Maia Morgenstern, aktore e njohur rumune dhe drejtoreshë e Teatrit Shtetëror Hebre të Bukureshtit, mori një email me përmbajtje antisemitike, që përfshinte kërcënime me vdekje ndaj saj dhe të tjerëve.
Mesazhi kërcënonte me vrasje aktoren dhe fëmijët e saj, “duke i hedhur në një dhomë me gaz”, si dhe me djegien e teatrit hebre.
Mesazhi ishte “nënshkruar në emër të AUR-it”, por lideri i partisë, George Simion, mohoi çdo lidhje me të dhe u kërkoi zyrtarëve t’i gjejnë dhe t’i ndëshkojnë autorët, ndërsa shprehu mbështetjen e tij për Morgensternin.
Disa sugjeruan se letra ishte një përpjekje për ta njollosur AUR-in.
Një person u ndalua në lidhje me rastin.
Aktorja, 59 vjeçe, nuk pranoi të komentojë për rastin për Radion Evropa e Lirë, duke u thirrur në vazhdimin e hetimeve.
Sipas shërbimit rumun të Radios Evropa e Lirë, Parlamenti i Rumanisë e dënoi incidentin, si dhe aktet e tjera antisemitike me një votim më 31 mars.
Aktivisti Maximillian Marco Katz tha se është dashur të ndodhë rasti i aktivistes me famë, Morgenstern, për t’i hapur sytë e njerëzve për këtë çështje.
“Duhet një person publik që shoqëria të tronditet. Kur i ndodh hebreut [të panjohur], askush nuk thotë asgjë”, tha Katz, i cili kryeson Qendrën për Monitorimin dhe Luftimin e Antisemitizmit në Rumani.
“Janë më pak se 2,000 hebrenj në Rumani dhe ju keni mjaft antisemitizëm”, tha Katz për Radion Evropa e Lirë.
Holokausti: Lëndë opsionale
Holokausti është një lëndë opsionale në shkollat rumune, çfarë kontribuon në dijeni jo të plotë për ngjarjen e tmerrshme, thonë Muraru dhe Katz.
“Shumica e prindërve thonë: Pse fëmijët e mi duhet të mësojnë për hebrenjtë? Lërini të mësojnë matematikë dhe fizikë”, tregon Katz.
“Holokausti është një çështje e madhe, e trajtuar si çështje sipërfaqësore”.
“Shumë [studentë] mësojnë se Holokaustin e bëri Gjermania naziste dhe kaq. Ata nuk mësojnë për Antonescun, masakrat, trenat e vdekjes”, thotë Katz.
“Qeveria mund të bëjë 20 strategji [për të mësuar rreth Holokaustit], por nëse gjykatësit, avokatët dhe mësuesit nuk dinë asgjë për të, si mund të prisni që ata t’u mësojnë fëmijëve ato që nuk i dinë?”, pyetet Katz.
Muraru po ashtu thotë se është shqetësuese që shumë rumunë nuk e dinë se sa i implikuar ishte vendi i tyre në gjenocidin e epokës naziste.
Në një sondazh për Holokaustin, të publikuar më 12 maj, një e katërta e të anketuarve kanë thënë se nuk dinë ose nuk mund të thonë saktësisht se çfarë është Holokausti, ndërsa 35 për qind të tjerë kanë thënë se nuk mund ta identifikojnë domethënien e Holokaustit për Rumaninë.
“Rumania ka obligim moral, politik dhe historik që të jetë vigjilente… Kjo nuk do të thotë që popullata e sotme duhet të fajësohet, por duhet të vihet në diskutim një fajësi e caktuar morale”, thotë Muraru.
Rumania ishte aleate e Gjermanisë naziste deri në gusht të vitit 1944, kur ndryshoi anën.
Nën marshallin Antonescu, rreth 120,000 hebrenj u dëbuan nga Rumania në Transdniester të Bashkimit Sovjetik.
Shumë nga hebrenjtë rumunë, të vrarë në kampet naziste të përqendrimit, u dëbuan në vitin 1944 nga Qeveria hungareze, e cila kishte aneksuar Rumaninë veriperëndimore katër vjet më parë.
Komiteti Ndërkombëtar për Studimin e Holokaustit “Elie Wiesel” publikoi një raport në vitin 2004, duke thënë se autoritetet rumune ishin drejtpërdrejt përgjegjëse për vdekjen e 280,000 – 380,000 hebrenjve dhe rreth 11,000 romëve, nga viti 1940 deri më 1944.
Përsëri neo-fashizëm?
AUR vazhdimisht i hedh poshtë akuzat se është antisemitike.
Por, Muraru e cilëson atë si “parti neo-fashiste, që është neo-legjionare dhe antisemitike” dhe thotë se ajo duhet të izolohet.
“Për javë të tëra, ky grup politik u përpoq t’i rehabilitonte kriminelët e luftës dhe krimet kundër njerëzimit”, thotë Muraru.
Më 9 maj, partia postoi një fotografi të Murarut në Facebook, duke thënë: “Ai është një agjent i huaj, i infiltruar në strukturat e sistemeve shtetërore”.
Claudiu Tarziu, bashkudhëheqës i AUR-it, nuk iu përgjigj kërkesave për komente për këtë artikull.
Problemi i përhapur
Familja e Wieselit u dërgua në kampet në Aushvic dhe Buhenvald, ku babai, nëna dhe motra e tij e vogël u vranë.
Pas çlirimit të kampeve, Wiesel shkroi 57 libra për përvojat e tij gjatë Holokaustit.
Ai u bë mbrojtës i të drejtave të njeriut dhe ishte themelues i Muzeut të Holokaustit të Shteteve të Bashkuara në Uashington.
Ai mori Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1986, ndërsa vdiq më 2016, në moshën 87-vjeçare.
Në gusht të vitit 2018, disa mbishkrime antisemitike u shfaqën jashtë shtëpisë në qytetin Sighetu Marmatiei, ku kishte lindur Wiesel. Një mesazh thoshte që Wiesel ishte “në ferr me Hitlerin”.
Por, busti i Wieselit u zbulua në Bukuresht dy muaj më vonë, në Ditën Kombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.
Dhe, incidentet antisemitike sigurisht se nuk janë të kufizuara vetëm në Rumani.
Më 14 maj, një zyrtar i lartë i BE-së e dënoi atë që ai e cilësoi si shpërthim të sulmeve antisemitike kundër komuniteteve hebreje evropiane.
Margaritis Schinas, nënkryetar i Komisionit Evropian, i ngarkuar për promovimin e një mënyre evropiane të jetesës dhe luftimin e antisemitizmit, u kërkoi vendeve anëtare të BE-së që të ndërmarrin veprime.
“Thellësisht i shqetësuar nga sulmet e fundit kundër komuniteteve dhe mjediseve hebraike në BE. Këto janë manifestime të qarta të antisemitizmit, të cilat duhet të dënohen me zë të lartë”, shkroi Schinas në Twitter.
Schinas i tha AFP-së se komentet e tij janë përgjigje ndaj raporteve për armiqësitë që kanë në shënjestër komunitetet hebraike në Gjermani, Austri, Spanjë dhe Mbretërinë e Bashkuar./REL