Incidentet për zgjedhjet, Kushi në “Log.”: Njerëzit më pyesin, a dilni lirshëm në Elbasan?

schedule21:30 - 22 Mars, 2021

schedule 21:30 - 22 Mars, 2021

Ende pa nisur zyrtarisht fushata e zgjedhjeve të 25 prillit në Elbasan brenda pak ditëve u shënuan dy incidente, i pari në 14 mars Ditën e Verës ku u përplasën militantët e PS-PD, teksa në këtë qytet ishin Lulzim Basha dhe Edi Rama dhe ngjarja e dytë ndodhi në 18 mars, përleshja mes kandidatit për deputet të PD-së, Luçiano Boçi dhe biznesmenit Gjergj Luca.

Por çfarë po ndodh realisht në Elbasan dhe a është me të vërtetë një situatë kaq e tensionuar?

Për të folur për këtë mbrëmjen e sotme në emisionin “Log.” të drejtuar nga Endri Xhafo në ABC, në pjesën e parë ishte e ftuar drejtuesja e listës së PS-së në qarkun e Elbasanit, ministrja Evis Kushi. Numri një i PS-së në Elbasan lëshoi akuza për skenar dhune të përgatitur nga Lulzim Basha, referuar 14 Marsit, ndërsa u shpreh se u ka kërkuar militantëve socialistë që të mos bien pre e provokimeve të dhunës. Gjatë bisedës, ministrja tregoi se kur ka shkuar në qytete të tjera të vendit, nisur nga ajo që kanë parë dhe dëgjuar, njerëz të ndryshëm e kanë pyetur nëse “dilni lirshëm në Elbasan?”. Kushi u shpreh se e vërteta nuk është ajo që thotë opozita për Elbasanin dhe se i vjen keq që qyteti identifikohet me bandat, krimin dhe drogën.

INTERVISTA E PLOTE

A kemi vërtetë një situatë të tensionuar, cili është mendimi juaj?
Nëse do të bëja diferencën mes provokimeve apo frymë tensione, do ta quaja thjesht provokime. Pasi të jetë frymë tensioni duhet të jetë e dyanshme, por ne përsa na takon, ne nuk kemi asnjë arsye për të qenë të tensionuar. Ne jemi të interesuar të shkojmë sa më të qetë drejt zgjedhje, pa incidente dhe kërcënime. Nuk kemi asnjë arsye për të kërkuar tension, pasi ndjejmë se ka mbështetje për PS-në, edhe po t’u referohemi sondazheve e konfirmojmë atë që shikojmë nga terreni, jemi të ndërgjegjshëm për punët që kemi bërë.

A jeni forcuar me elementë për t’u mbrojtur nga provokimet, a keni njerëz me influencë, a keni garanci nga njerëzit tuaj në terren që të mos vijnë t’ju provokojnë?
Përsa i takon shtetit policor që deklaron opozita, këto nuk janë zgjedhjet e para që ne organizojmë. PS ka organizuar zgjedhjet edhe në 2015, ’17 dhe ’19 dhe asnjëherë nuk ka ndodhur të kemi shkuar në zgjedhje me elementë të tillë.

Por dosja 339, plus janë dënuar komisionerë për tjetërsimin e vullnetit të votuesve…
Ne nuk kërkojmë tensione dhe provokime, pasi bilancin e kemi pozitiv dhe do të ishim shumë të lumtur që të ishin zgjedhjet nesër. Edhe strukturave u bëjmë thirrje të mos bien pre e provokimeve. Ngjarja e 14 marsit, të të gjithë e ditën që është festa më e bukur dhe popullore, është festa që i bashkon njerëzit, edhe të besimeve të ndryshme fetare dhe bindjeve politike, por ajo përçarje që ndodhi atë ditë e provokuar nga mbështetësit e PD ishte e qartë.

Ku ju provokojnë ju si reagoni?
Absolutisht, ata njerëz që ju pretendoni, ne nuk kemi askënd që të na mbështesë kur na provokojnë. Ne i porosisim strukturat të mos bien pre e provokimeve, qëllimi ynë është që të shkojmë të qetë drejt 25 prillit. Përsa i takon ngjarjes së pak ditëve, në dijeninë time po hetohet nga prokuroria, për aq pamje sa media ka transmetuar, është e rëndë, një kandidat për deputet, në një skenë të tillë dhune nuk nderon askënd, duhet të zbardhet ngjarja, që të kemi një panoramë të plotë. Dhuna është e fundit. Ne qëndrimin tonë ndaj dhunës e kemi treguar gjatë këtyre viteve, të distancuar, ndërsa pala kundërshtare është vazhdim e së njëjtës sjellje, qoftë kur ishin brenda parlamentit me skenat e dhunës dhe pastaj kur dolën, janë thjeshtë vazhdë e së njëjtës sjelle.

Në Elbasan më rezulton se betejën më të madhe nuk e keni me PD, por LSI?
Ne nuk kemi betejë të madhe as me PD as me LSI. Ne vazhdojmë punën tonë me qytetarët. Nëse PD dhe LSI kanë zbritur tani në terren ne nuk jemi shkëputur asnjëherë. Ata kanë zbritur tani, tani e kanë filluar. Për ne si PD-LSI…, vazhdojmë punën, jemi aty.

Si është të jesh e para e listës dhe të bësh fushatë në një qark problematik për rendin dhe sigurinë?
Unë gjithmonë ndjehem keq kur mediat dhe opozita thonë që Elbasani është qytet problematik.

E thonë shifrat?
Jo, ngjarje problematike mund të ketë edhe në qytete të tjera, por mënyra si opozita e ka njollosur qytetin e Elbasanit, mua më vjen keq, pasi Elbasani nuk mund të identifikohet me krimin. Ngjarje të veçuara nuk mund të identifikojnë Elbasanin si qyteti i krimit dhe drogës, kjo më dhemb shumë. Edhe kur udhëtoj në qytete të tjera njerëzit më thonë “A dilni lirshëm ju në Elbasan?”. Po mirë, a thua Elbasani është Palermo dhe bandat dalin dhe luftojnë në mes të ditës, duke mos lejuar jetën e qetë, përkundrazi Elbasani është një qytet i qetë dhe një popull me tradita. Për t’iu rikthyer fushatës. Unë vërtetë jam e para e listës, por kjo ma rrit akoma më shumë përgjegjësinë për të punuar fort. Lulzim Basha në 14 mars erdhi me axhendë politike. Në atë ditë gjithmonë në Elbasan ka festë.

db/ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!