Kur kanë mbetur edhe pak ditë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, numri i incidenteve të regjistruara ditëve të fundit në veri, nga djegia e veturave e deri tek plagosja e një qytetari serb, po konsiderohen jenë të qëllimshme nga Serbia me qëllim që komuniteti serb të refuzojë daljen në zgjedhje. Njohësi i sigurisë, Nuredin Ibishi thotë se kjo tregon se pavarësisht masave të nevojshme që janë marrë nga Qeveria e Kosovës, nuk do të ketë zgjedhje të qeta.
Ibishi në një intervistë për KosovaPress thotë se qëllimi përfundimtar i Serbisë është që të largohen forcat policore në veri.
Nga abstenimi i Listës Serbe për zgjedhjet e 23 prillit e deri tek paralajmërimet e presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, Ibishi thotë se mund të shihet një përshkallëzim i situatës, që sipas tij vjen me urdhër të presidentit serb.
“Së pari abstenimi i Listës Serbe dhe paralajmërimi, pas takimit të premtes së kaluar, i Vuçiqit me Listën Serbe dhe me personin e kërkuar nga drejtësia e Kosovës, Radojiçiq, i cili vazhdon të jetë pjesë e grupit të punës dhe paralajmërimi për një platformë të përbashkët, sikur paralajmëron Vuçiqi për veprime politike, ekonomike, deri edhe të sigurisë në rast të mbajtjes së zgjedhjeve tregon një përshkallëzim të situatës që ajo po vjen çdoherë me dirigjim, me urdhra të Vuçiqit dhe lidershipit të Serbisë nëpërmes ekstremistëve të vet”, tha Ibishi.
Sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve, Ibishi vlerëson se duhet të ketë një zgjidhje politike, qoftë edhe shtyrje të afatit me qëllim që mos të vijë deri të një tensionim i ri i situatës.
“Nuk do të ketë zgjedhje të qeta në kuptim të tensionimit së situatës”, tha Ibishi.
Sa i përket incidenteve që po ndodhin në veri, Ibishi thotë se tashmë qëllimi i palës serbe është që të bëhet hegjemonizëm të masës të komunitetit serb që ata të refuzojnë daljen në votime.
“Qëllimi përfundimtar është që të bëhet hegjemonizëm i masës të komunitetit serb që ata të refuzojnë daljen në votime dhe çështja tjetër është më rendësi ata të imponojnë një favor të vetin”, tha mes tjerash Ibishi.
Sipas tij, bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të qëndrojë e heshtur përballë një poltiike të tillë të Serbisë, ndërkohë që shtoi se incidentet e shtyra nga politika e Vuçiqit duhet t’i kuptojë edhe Bashkimi Evropian.
Kujtojmë se, ditë më parë, Lista Serbe, që ka udhëhequr me katër komunat veriore ka treguar se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, sipas tyre deri në formimimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Në zgjedhjet e 23 prillit, për kryetarë të katër komunave në veri do të garojnë 11 kandidatë, ku vetëm dy prej tyre janë nga komuniteti serb.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale do të mbahen në veri pas dorëheqjes së kryetarëve të komunave të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut. Kryetarët e këtyre komunave dhanë dorëheqje në nëntor të vitit 2022 për shkak të vendimit qeveritar për targat ilegale serbe,
Zgjedhjet në veri fillimisht ishin caktuar me datë 18 dhjetor të vitit 2022, mirëpo ato u shtynë pas incidenteve nga grupe kriminale serbe ndaj zyratrëve të KKZ-ve dhe pamundësisë për organizimin e tyre. /Kosova Press