Nga Juxhin Mustafaraj
Deputetë të opozitës në komisionin hetimor kanë kontrolluar sot Inceneratorin e Tiranës, për të parë nëse është në funksional. Nga verifikimet e bëra rezultoi sipas tyre se ky incenerator nuk ekziston pavarësisht se deri tani janë paguar nga buxheti i shtetit 35 milionë euro.
Inceneratori i Tiranës për opozitën përbën vjedhjen e shekullit. Pas qindra denoncimeve të opozitës, ligjvënësit e Komisionit Hetimor për Inceneratorët kaluan portën e kompanisë “’Integrated Energy” për të parë ecurinë e punimeve të inceneratorit që do të duhet të jetë tërësisht funksional në fund të vitit 2025.
Në hyrje pemë të mbjella, mbi masive dheu që kanë mbuluar mbetjet e sharrës.
Kjo gropë e hapur është vendi ku duhej të ishte Inceneratori i Tiranës, për të cilin deri tani nga buxheti i shtetit janë paguar 35 milionë euro. Deputetët socialistë qëndrojnë pak. Duke e vlerësuar se kolegët e opozitës do ta shfrytëzojnë politikisht pamjen që ofronte kompania, zgjidhin të largohen.
Në vend të inceneratorit, këto 2 fadroma transportojnë mbetjet që sipas inxhinierit të firmës vijnë nga tre bashki, Tiranë, Durrës dhe Kavajë, dy të parat njëkohësisht edhe dy bashkitë më të mëdha në vend.
Në mënyrë mekanike, ky numër i vogël punonjësish diferencojnë mbetjet ndërkohë që grumbulli i mbetjeve nuk e justifikojnë shifrën e dhënë nga përfaqësuesit e firmës. Sipas tyre çdo ditë në landfill përpunohen dhe më pas groposen 750-800 ton mbetje. Gjithçka që ngelet në fund të këtij përpunimi dërgohet disa metra për tej për tu groposur. Për kryetaren e Komisionit Hetimor, Jorida Tabaku denoncimet e opozitës u vërtetuan dhe koha është të ketë përgjegjësi ligjore.
Në fund nga buxheti i Shtetit, kompania që do të ndërtojë inceneratorin e Tiranës do të marrë mbi 400 milionë euro. Deri më sot në vend të impiantit të përpunimit të mbetjeve është vetëm kjo gropë. /abcnews.al