Inceneratori i Tiranës/ GJKKO pranon kërkesën e SPAK, kalon për gjykim dosjen ndaj Alqi Bllakos

schedule13:07 - 20 Dhjetor, 2024

schedule 13:07 - 20 Dhjetor, 2024

GJKKO ka pranuar kërkesën e SPAK dhe ka kaluar për gjykim dosjen ndaj ish-sekretarit të ministrisë së Mjedisit, për akuzën e korrupsionit të zyrtarëve publikë në lidhje me hetimet për inceneratorin e Tiranës.

Prokuroria e Posaçme ka dyshime se Bllako është i përfshirë në dy raste korruptive për të favorizuar biznesmenin Klodian Zoto mbi procedurat e ngritjen dhe ndërtimin e këtij inceneratori.

Nga hetimet, ka rezultuar se Bllako në cilësinë e sekretarit të ministrisë së Mjedisit ka përfituar shumën prej 120 mijë euro për favorizimin që i ka bërë dy pronarëve që përfituan të drejtën për ndërtimin e inceneratorit, Klodian Zotos e Mirel Mërtirit.

Ndërsa në rastin e dytë, ka rezultuar se Bllako i ka kërkuar rryshfet Klodian Zotos, shumën prej 7.5 milionë Lekësh për llogari të Vladimir Bezhanit, duke e punësuar atë fiktivisht tek shoqëria “Integrated Technology Services”.

Sipas hetimeve, Vladimir Bezhani në vitin 2017-të u caktua këshilltar i jashtëm i ministrit të mjedisit Lefter Koka. Prokuroria thotë se Bllako ka orientuar Bezhanin që t’i japë informacione Klodian Zotos për procedurat që duhet të ndiqte për ngritjen e Inceneratorit të Tiranës.

Në muajin prill të këtij viti, SPAK çoi për gjykim një pjesë të të akuzuarve për inceneratorin e Tiranës mes të cilëve edhe ish ministrin e mjedisit Lefter Koka, si dhe disa ish-zyrtarë të bashkisë së Tiranës dhe anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave./abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!