Inceneratori i Elbasanit/ Apeli i Posaçëm rrit dënimin për Kokën, shpall fajtor Bllakon

schedule15:15 - 8 Nëntor, 2024

schedule 15:15 - 8 Nëntor, 2024

Gjykata e apelit të posaçëm ka ndryshuar vendimin e shkallës së parë duke rritur dënimin me burg për ish-ministrin e mjedisit Lefter Koka dhe ish-deputetin Alqi Bllako në lidhje me hetimet për inceneratorin e Elbasanit.

Ndryshe nga shkalla e pare ku kishin marre pafajësi, Koka e Bllako u shpallen fajtorë për shpërdorim detyre të kryer ne bashkëpunim. Koka të premten u dënua me 6 vite e 8 muaj burg, ndryshe nga shkalla e parë që e gjeti fajtor dhe e dënoi me 5 vite e 8 muaj.

Ndërsa Alqi Bllako u dënua me 2 vite e 8 muaj heqje lirie dhe për 5 vitet e ardhshme të mos ushtrojë asnjë funksion publik edhe pse shkalla e parë e shpalli të pa fajshëm. Per te pandehurit e tjerë për incemeratorin e Elbasanit u la ne fuqi vendimi i dhënë nga shkalla e parë. Të gjithë të pandehurit kanë përfituar ulje të dënimit me një të tretën për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Dy biznesmenët e ndërtimit të inceneratorit të Elbasanit Klodian Zoto e Mirel Mertiri janë dënuar përfundimisht me 6 vite e 8 muaj burg, ndërsa administratorja Stela Gugallja u dënua 4 vite e 8 muaj.

Të tre këta persona vijojnë të jenë në kërkim pasi nuk janë gjetur ende nga policia. Po kështu anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave Jonida Zeqo e Pëllumb Abeshi u dënuan me 2 vite e 8 muaj burg, ndërsa Bardhyl Cabiri 2 vite heqje lirie dhe Serafin Papa me 1 vit e 4 muaj burg.

Gjykata vendosi konfiskimin e disa pasurive në emër të ish-ministrit Koka mes të cilave, 88.19 përqind të aksioneve të kompanisë së pijeve Gjergj Kastrioti Skenderbej, 2 shoqërive tregtare si dhe 10 apartamente. Më herët SPAK i ka komunikuar Alqi Bllakos edhe akuzën e korrupsionit në lidhje me hetimet për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës. Përveç Bllakos të pandehur janë marrë edhe ish-ministri Koka si dhe disa ish-zyrtarë të bashkisë së Tiranës dhe anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave për shpërdorim detyre.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!