Inceneratorët, Tabaku: Ndjej keqardhje që deputetët e PD bashkuan votat me Edi Ramën

schedule13:36 - 18 Mars, 2022

schedule 13:36 - 18 Mars, 2022

Kryetarja Komisionit Hetimor për Inceneratorët, Jorida Tabaku shprehu keqardhjen që sipas saj bashkuan votat me Edi Ramën për këtë aferë korruptive.

Në një deklaratë për shtyp në selinë blu, Tabaku theksoi se ata mund të kishin shmangur votimin, por jo të votonin kundër raportit të Partisë Demokratike.

“Ju i keni ndjekur një pjesë të madhe mbledhjet. E keni parë që pavarësisht ndasive që mund të kemi, ishim në një mendje për opozitën në këtë komision. I kam dhënë hapësirë maksimale çdo kolegu për të dëgjuar mendimin e kujtdo. Kam ndjerë keqardhje që deputetë të PD bashkojnë votën me Edi Ramën për të mbrojtur aferën më të madhe korruptive.

Nuk ka justifikim për askënd që nuk më erdhi raporti. Sjellja më normale është që të mos votojnë fare dhe jo kundër. Nuk gjej asnjë arsye pse duhet të bashkosh votat me Edi Ramën kundër punës tënde. Besoj se në këtë proces kemi pasur shumë pengesa dhe duhet të ishim në një zë. Duhet të ishim të gjithë bashkë në miratimin e këtij raporti. Nuk dua të përdor fjalën tradhti, por ndjej keqardhje që disa deputetë nuk ishin në sallë. Por ata që kanë votuar kundër shprehem qartë”, tha Tabaku.

Lexo edhe: PD padit Ramën dhe 49 persona të tjerë, Tabaku: Janë grup i strukturuar kriminal, të hetohen bashkë

Nënkryetarja e PD, refuzoi t’u përgjigje pyetjeve të gazetarëve për situatën e brendshme në parti.

“Unë besoj që sot po flasim për inceneratorët. Deklarata e mia për situatën në parti i kam bërë në mbledhjen e grupit parlamentar. Për inceneratorët unë besoj PD është një hap përpara çdo partie tjetër në opozitë sepse ka kartën morale të një ministri që është para drejtësisë dhe besoj se ka kartën morale tu thotë qytetarëve se lufta kundër korrupsionit është parimore për këtë parti”, u shpreh ajo.

Sakaq, Tabaku njoftoi se PD do të depozitojë sot në SPAK kallëzim penal për 50 persona lidhur me aferën e inceneratorëve. Mes të paditurve është edhe kryeministri Edi Rama. g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!