Inceneratorët/ Përfundon pas 5 orë marrja në pyetje nga SPAK e Subashit, çfarë u tha gazetarëve

schedule17:18 - 18 Shkurt, 2022

schedule 17:18 - 18 Shkurt, 2022

Ka përfunduar marrja në pyetje nga SPAK e Armando Subashit lidhur me aferën korruptive të Incineratorëve. Kreu i Bashkisë Fier, Armando Subashi mësohet se ka dëshmuar 5 orë në SPAK për të dhënë informacionet që ai di për inceneratorin e Fierit. Më herët u mor në pyetje edhe deputeti i PS, Alqi Bllako, ish-Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit.

Pasi ka dëshmuar 5 orë para prokurorëve të SPAK, Subashi ka deklaruar para mediave se do të jetë i pranishëm sa herë që të thirret për të dëshmuar.

“U thirra në cilësinë e deklaruesit. Dhashë shpjegimet e mia. Do vij sa herë të më thërrasë prokuroria. Nuk mund të flas më shumë së është çështje nën hetim” u shpreh Subashi.

Kujtojmë se kryetarja e Komisionit Jorida Tabaku, publikoi shkresën ku Kryetari i Bashkisë së Fierit Armando Subashi sipas saj deklaron se nuk ka gjendje emergjence mjedisore. Tabaku theksoi se procesi për Inceneratorin e Fierit është nisur me një ofertë të pa kërkuar.

Në dosjen që ka sjellë këtu Armando Subashi dhe kam këtu të gjitha shkresat e Armando Subashit deklarohet që nuk ka një gjendje mjedisore emergjence në Bashkinë e Fierit dhe i gjithë procesi ka nisur me një ofertë të pa kërkuar të kompanisë për gjendjen e emergjencës mjedisore. Përse keni pranuar një ofertë të pa kërkuar dhe keni nisur një proces koncesioni ku nuk ka pasur një gjendje të emergjencës mjedisore? Këtu kam shkresat e z. Armando Subashi”, tha Tabaku.

SPAK nisi një hetim për Inceneratorët në gusht të vitit 2020 pas kallëzimeve të bëra në prokurori.

Prokurorët arrestuan ish-ministrin Lefter Koka për inceneratorin e Elbasanit, ndërsa shpallën në kërkim pronarët e kompanive koncesionare, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja.

/abcnews.al/