Impiant i ri për trajtimin e ujërave të zeza në Gjirin e Lalzit

schedule13:59 - 3 Prill, 2019

schedule 13:59 - 3 Prill, 2019

Brenda këtij sezoni veror, ujërat e zeza në zonën  e Gjirit të Lalzit nuk do të derdhen më në det. Në këtë zonë është ndërtuar në impiant i ri i përpunimit të tyre dhe punimet pritet të përfundojnë brenda 2 muajsh.

10 milionë euro janë investuar për të ndërtuar këtë impiant të ri të trajtimit të ujërave të zeza në Gjirin e Lalzit. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, u njoh me ecurinë e punimeve dhe afatin e dorëzimit përfundimtar të investimit.

“Për dy muaj do të përfundojë komplet rrjeti i kanalizimeve dhe impianti do të merret në dorëzim dhe që nga ai moment ato mund të lidhin të gjitha resortet dhe bizneseve që janë bregut të detit. Ne kemi lënë pusetat gati me gjithë hyrjen dhe bizneset vetëm do bëjnë lidhjen me këto puseta. Gjë që do bëhet brenda këtij sezoni veror dhe nuk do kemi më asnjë derdhje në det dhe asnjë gropë septike në këtë zonë”, tha Spartak Kovaçi, drejtor i UK në Bashkinë e Durrësit.

Ky impiant në fazën e parë do të mbulojë nevojat e 15 mijë banorëve. Ndërkohë që parashikohet që deri në vitin 2030 projekti të zhvillohet  për të përmbushur të gjitha nevojat që ka vija bregdetare për trajtimin e ujërave të ndotura.

“Kalimi i integruar i ujit është një nga 6 prioritetet e qeverisë dhe këtu në këtë impiant kemi pasqyruar më së miri strategjinë tonë të zhvillimit. Është shumë e rëndësishme që ne të njoftojmë që gjatë Majit impianti do të jetë gati për të nisur operimet e plota kështu që të gjitha subjektet që ndodhen në zonë të fillojnë të marrin masat të bëjnë lidhjen me këtë kolektor”, tha ministrja Balluku.

Kolektori i ujërave të zeza në Gjirin e Lalzit përfshin dhe ndërtimin e rrjetit kryesor të kanalizimeve nga zona e Shën Pjetrit deri në hidrovor me rreth 6.2 kilometra rrjet kanalizimi kryesor, 4 stacione pompimi që bëjnë të mundur mbledhjen e gjithë pjesës së bregdetit dhe kanalizimet që lidhen me impiantin. Pas trajtimit uji do të dalë i pastër dhe përmes një kanali  do të shkarkohet në det./abcnews.al