Imazhe dëshpërimi, drama europiane në Lampedusa

schedule09:58 - 18 Shtator, 2023

schedule 09:58 - 18 Shtator, 2023

Ka kaluar një javë gjatë së cilës afro 8500 njerëz mbërritën në vetëm tre ditë në ishullin italian të Lampedusa. Brenda të njëjtës javë një foshnjë vdiq gjatë udhëtimit me varkë me gjithsej 40 emigrantë, nga Tunizia. Ajo u varros në një arkivol të vogël të bardhë në varrezat e ishullit të shtunën.

Disa ditë më parë, një foshnjë tjetër pesë muajshe u mbyt gjatë një operacioni shpëtimi kur një anije me 426 emigrantë u përmbys. Në qendrën e pritjes të ishullit, me një kapacitet prej vetëm 400 personash, njerëzit janë duke fjetur në rrugë.

Deri në këtë fundjavë shumica ishin zhvendosur në qendrat kryesisht në Siçili dhe pika e nxehtë e dramës mesdhetare në vazhdim ishte pastruar për të mirëpritur presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen e cila bëri një “autopsi” në Lampeduza në përgjigje të ftesës së kryeministrit të saj të Italisë, Georgia Meloni.

Qeveria e ekstremit të djathtë të Georgia Meloni u zgjodh në tetor 2022 duke premtuar se do të frenonte flukset në rritje të imigracionit duke miratuar një linjë më të ashpër ndaj këtij fenomeni, raporton abcnews.al.

Megjithatë, brenda një viti, më shumë se 127,000 njerëz mbërritën në brigjet italiane. Ky është më shumë se dyfishi i numrit nga e njëjta periudhë e vitit 2022.

Pjesa më e madhe e tyre e nisin udhëtimin nga Tunizia përkundër Memorandumit të Bashkëpunimit mes Tunizisë dhe Brukselit që mbulon edhe çështjet e bashkëpunimit ekonomik me një ndarje fillestare prej 105 milionë eurosh.

Tani Italia po merr masa. Georgia Meloni, duke peshuar koston politike të administratës së saj, njoftoi se po vazhdon të rrisë kohëzgjatjen e ndalimit të përkohshëm të emigrantëve të paligjshëm në qendra të mbyllura, duke rritur njëkohësisht numrin e tyre.

Në të njëjtën kohë, kryeministrja italiane thekson se shtetet anëtare duhet të bashkëpunojnë për të ndaluar mbërritjen e emigrantëve nga Afrika.

Ajo gjithashtu bëri thirrje për “deportimin e menjëhershëm të atyre që iu refuzua kërkesa për azil”, pasi siç thotë ajo“përbëjnë kërcënim për të ardhmen e Europës” dhe shpjegon se “çështja nuk do të zgjidhet duke folur vetëm për largimin e emigrantëve”.

Nga ana e saj, kryetarja e Komisionit këmbëngul se çështja kërkon një përgjigje dhe zgjidhje europiane, por ajo mban sërish anën e Melonit.

Më në detaje, Ursula von der Leyen prezantoi një plan me 10 pika që premtonte dëbimin e menjëhershëm të atyre që nuk kanë marrë azil si dhe luftën kundër trafikantëve.

“Ne do të vendosim se kush dhe në çfarë kushtesh do të vijë në Bashkimin Evropian. Jo, trafikantët”, nënvizoi ajo, ndërsa u shpreh pro eksplorimit të mundësive për zgjerimin e “misioneve detare” të kërkuara nga Meloni.

Në të njëjtën kohë, u regjistruan tensione mes Italisë dhe shteteve të tjera anëtare “të fuqishme” të Bashkimit, të cilët akuzojnë Romën se nuk respekton detyrimet që dalin nga Rregullorja e Dublinit, raporton abcnews.al

Në veçanti, Gjermania ka pezulluar zbatimin e marrëveshjes për pritjen vullnetare të refugjatëve që ka të bëjë me zhvendosjen e azilkërkuesve nga vendet e tyre të mbërritjes në BE në shtetet e tjera anëtare.

Ajo u parapri nga refuzimi i qeverisë italiane për të pranuar kthimin e emigrantëve që kërkuan azil për herë të parë në tokën italiane, por më pas shkuan në Gjermani. Çështja përfundoi pas ndërhyrjes së Presidentes të Komisionit dhe Presidentit të Këshillit Europian, Charles Michel.

Ndërkohë, Franca njoftoi edhe forcimin e kontrolleve në kufijtë e saj, ku vetë Meloni bisedoi me Emmanuel Macron në telefon dhe ai, nga ana e tij, theksoi përfundimisht detyrimin e solidaritetit europian ndaj Italisë.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!