Imami: Virusin mund ta kemi kaluar në janar, Tirana më ka surprizuar

schedule18:38 - 19 Maj, 2020

schedule 18:38 - 19 Maj, 2020

Skuadrat e Superligës po bëhen gati për rifillimin e kampionatit. Stërvitjet e plota kanë nisur, të njëjtën gjë ka bërë edhe Skënderbeu, që, si zakonisht, është grumbulluar në “Tropikal” në Durrës.

Eni Imami nuk e ka problem faktin që do të luhet pa tifozë, teksa dyshon si koronavirusi është kaluar që në janar. Mbrojtësi vlerëson ambientin që krijohet te skuadra korçare dhe vlerëson sezonin e Tiranës në prononcimin e dhënë për “Fan Zone” në Supersport.

STËRVITJA – “Të them të drejtën, më duket si diçka surreale kjo. Më duket sikur kishim dy ditë pa u bashkuar. Kur flisnim me çunat, kujtonim një kohë kur ishim me grip në janar dhe pyesnim nëse e kishim koronavirusin që atëherë”.

NDESHJET PA TIFOZË –  “Nuk mendoj se do jetë një ndryshim shumë i madh për ndeshjet pa tifozë, pasi nuk jemi si kampionatet e mëdha që mbushen stadiumet”.

FORMA – “Jam munduar të punoj në kushtet e shtëpisë, jam përpjekur të ruaj një formë sa më të mirë, por besoj se këto ditë do na shërbejnë për t’u rikthyer në gjendje optimale”.

E ARDHMJA – “Të ardhmes asnjëherë nuk i dihet. Nëse gjerat shkojnë shumë mirë, pse të mos qëndroj këtu?! Këtu është një ambient shumë i mirë dhe i shkëlqyer, pa ofenduar ekipet e tjera, por është shumë mirë këtu. Shpresoj që të jepet një vendim pozitiv për dënimin dhe të shohim”.

TIRANA – “Më ka surprizuar Tirana, pasi kur unë isha atje gjërat nuk po shkonin shumë mirë. Janë shumë të fortë dhe e meritojnë titullin kampion”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!