Rëndom dëgjojmë të artikulohet në biseda “jemi të barabartë burra dhe gra”, por këto janë biseda mes miqsh, të njohurish, në panele televizive, etj, por si rrinë shifrat përballë këtij fenomeni?
Në mbarë botën, gratë deri një shekull më parë nuk kishin të drejtën të votonin, madje meqë ishin femra, ishin inferiore sepse natyra na i paskësh ndërtuar të tilla dhe nuk mund të kishin kapacitetin mendor dhe intelektual si meshkujt. Ishin disa gra intelektuale të kohës që në opinionin publik gëzonin reputacion dhe pushtet intelektual, ato që nisën lëvizjen intelektuale të grave që ato të fitonin disa të drejta.
Kështu gratë filluan të mbështeten jo vetëm nga gra intelektuale, por edhe nga burra po kaq intelektualisht të pushtetshëm të cilët në korrotacionin negativ u quajtën “feministë” por kjo nuk i pengoi që revoltën e tyre ta vazhdonin dhe një nga një të fillonin të numëronin arritjet. Duke fituar në fillim të drejtën e votës dhe me radhë të githa të tjerat, deri tek konventa për të drejtat dhe mosdiskriminimin e tyre.
Megjithëse ka kaluar një shekull që nga fillimi i këtyre lëvzjeve dhe pavarësisht hartimit dhe përshtatjes së legjilacionit për barazinë gjinore, realiteti është ende problematik.
Shqipëria në të gjithë këtë fenomen shfaqet edhe me problematike se bota evropiane dhe e civilizuar perëndimore. E vërteta është se Shqipëria të gjithë kuadrin ligjor për barazinë gjinore dhe përfaqësinë e grave në vendimmarrjen vendore e ka të kënaqshëm, me disa problematika relativisht të menaxhueshme, por kur vjen radha e implementimit dhe zbatimit të këtij legjislacioni, shfaqen problematikat.
Ligji nr.10221, datë 04.02.2010 “Për mbrojtjen nga diskriminimi”, është pjesë e qenësishme e kuadrit mosdiskriminues të legjislacionit shqiptar, të hartuar në vazhdën e akteve të detyrueshme ndërkombëtare si CEDAW, apo akte të tjera të miratuara nga Këshilli i Evropës dhe Bashkimi Europian, (kujtojmë këtu se Shqipëria i ka ratifikuar këto konventa dhe tashmë jato anë pjese e legjislacionit shqiptar).
Nga të dhënat paraprake që mblodhëm nga burime të ndryshme, konstatuam që Qarku i Kukësit ka pjesëmarrje shumë të ulët të grave në vendimmarrjen vendore ashtu edhe në pozicione drejtuese në administratë.
Të nxitur nga ky fakt, nëpërmjet projektit të financuar nga Lëviz Albania “Iluzioni i barazisë gjinore në nivel vendor”, i cili kishte si qëllim ndërgjegjësimin dhe nxitjen e qytetare për respektimin e barazisë gjinore dhe marrjen e masave konkrete për ndryshimin e situatës në sfidat vendore, analizuam situatën e barazisë gjinore në Qarkun e Kukësit. Ky projekt na dha mundësinë që të dëgjonim dhe të preknim nga afër problematikat e këtij komuniteti që ishte mjaft i ngrohtë, shumë mikëpritës dhe tepër bashkëpunues, cilësi që na befasuan.
Në takimet që ne në kuadër të projektit realizuam me burra dhe gra të Qarkut Kukës, pjesëmarrësit në takime shprehën problematikat parë nga këndvështrimi i tyre personal pse gratë janë kaq pak të përfaqësuara në vendimamarrjen vendore dhe arsyet kryesore që u evidentuan ishin:
* Hartimi i listave të këshilltarëve mbi baza farefisnore, duke marrë në konsideratë meshkujt;
* Paragjykimi për femrat nga ana e shoqërisë;
* Një pjesë e tyre shfaqën mungesë vetëbesimi për t’u përfshirë, pasi mendojnë që futen në garë në kushte të pabarabarta, pasi burrat mbështesin më tepër njëri-tjetrin dhe kanë mundësi të jenë më aktivë në fushata zgjedhore.
* Pikëpamjet e vetë grave mbi këtë çështje, duke e cilësuar përfshirjen në vendimmarrje dhe në detyra të rëndësishme, si një faktor që ndikon në përkushtimin në jetën familjare si nëna dhe/ose si bashkëshorte dhe amvisa.
Me sa duket, problemet në Shqipëri për përfaqësimin e gruas në proceset e vendimmarrjes vendore dhe qëndrore nuk janë të lidhura me kuadrin ligjor, sa janë të lidhura me mentalitetin, paragjykimet sociale dhe faktorë të tjerë socio-ekonomikë, prandaj ndryshimi i realitetit është një proces më i vështirë sesa plotësimi i legjislacionit, është një proces që zgjat dhe që kërkon vullnetin dhe ndërveprimin e të gjithë aktorëve, që tek familja, shoqëria, sistemi arsimor, institucionet qendrore e vendore si dhe media. Kjo e fundit ka rol të rëndësishëm në përçimin e mesazheve sensibilizuese tek të gjithë aktorët e përfshirë. Sikurse ka thënë Hillary Clinton, mbrojtja e të drejtave të femrave është kapitull i pambyllur i shekullit XXI.
“M’u desh shumë kohë për të pasur një zë që të dëgjohet dhe tani që e kam, nuk do të hesht.”– Madeleine Albright, politikane.
Punoi: Dorina Bime
Shkrim nga: Qendra e këshillimit të grave dhe shërbimeve sociale Kukës