Ilir Meta vizitë zyrtare në Hungari

schedule20:03 - 20 Qershor, 2018

schedule 20:03 - 20 Qershor, 2018

Një javë para vendimit të rëndësishëm të Këshillit Europian, Presidenti Ilir Meta kërkoi mbështetjen e Hungarisë për hapjen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë. Kreu i shtetit shqiptar zhvilloi një vizitë zyrtare në Budapest.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, u prit në Budapest me ceremoni shtetërore nga homologu i tij hungarez, János Áder. Gjatë takimit me presidentin hungarez, Meta kërkoi mbështetjen e Budapestit për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Ilir Meta: “Një vëmendje shumë të veçantë ia kushtuam edhe plotësimit të kushteve nga Shqipëria për çeljen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Jemi të ndërgjegjshëm se kjo nuk është periudha më e mirë për Bashkimin Evropian, por shpresojmë se në fund të këtij muaji të gjitha Vendet Anëtare të saj do të mbështesin çeljen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë. Besoj se Hungaria do të kontribuojë në arritjen e konsensusit të nevojshëm brenda BE-së në këtë drejtim”.

Presidenti i Hungarisë e siguroi homologun Meta për mbështetjen e vendit te tij, si në drejtim të integrimit evropian, ashtu edhe për nxitjen e mëtejshme të bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve.

János Áder: “Shqipëria para disa vitesh u anëtarësua në NATO, duke qenë edhe bashkëpunuesi ynë në këtë drejtim. Shqipëria nuk do të dalojë këtu. Ajo ka synime të tjera drejt anëtarësimit në BE. Hungaria prej vitesh mbështet përpjekjet e Shqipërisë në këtë drejtim dhe sot në takimim me Meta, e sigurova për mbështetjen e mëtejshme të vendit tim në Bashkimin Europian jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të Ballkanit Perëndimor”.

Rivendosja e linjës direkte ajrore midis kryeqyteteve të të dy vendeve dhe hapja e Dhomës së Tregtisë së Hungarisë në Tiranë, sipas Presidentit Meta, do të rrisin ndjeshëm këtë bashkëpunim.

Ilir Meta: Një rol shumë pozitiv në këtë drejtim po luan rivendosja e linjës ajrore direkte midis kryeqyteteve tona, si dhe funksionimi i dhomës hungareze të tregtisë në Tiranë (Hungarian National Trading House). Linja ajrore pothuaj e ka trefishuar brenda një viti numrin e hungarezëve që kanë vizituar Shqipërinë, si dhe i ka dhënë një mundësi më të madhe komunikimit e kontakteve të drejtpërdrejta midis sipërmarrësve të të dy vendeve”.

Dy presidentët biseduan edhe për zhvillimet më të fundit në Ballkanin Perëndimor, si dhe sfidat e kërcënimet me të cilat po përballen vendet e këtij rajoni./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!