Ilir Meta në pranga/ “Korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të ardhurash”

schedule13:14 - 21 Tetor, 2024

schedule 13:14 - 21 Tetor, 2024

Akuza e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë janë veprat penale qe me urdhër të prokurorisë së posaçme çuan në pranga ish-presidentin Ilir Meta. Ndaj Metës është caktuar masa e arrestit në burg, ndërsa prej disa vitesh është hetuar për dosjen Cez Dia dhe për burimin e parave për lobimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të Partisë Levizja Socialiste për Integrim.

Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e detyrimit për të paraqitur edhe për Monika Kryemadhin. Edhe për këtë të fundit SPAK ka dyshime se është përfshirë në korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë.  Përveç Metës e Kryemadhit, gjykata ka caktuar masën e arrestit shtëpiak edhe për Pirro Xhixhon dhe hetim në gjendje të lirë për Ema Çokun. Hetimet janë kryer fillimisht nga prokurori Sotir Kllapi bazuar në një kallëzim se Meta dhe bashkëshortja e tij nuk kanë deklaruar burimin e të ardhurave për disa ndërhyrje estetike në një klinikë private jashtë Shqipërisë dhe në të njëjtën kohë edhe për burimin e parave për lobimin prej 700 mijë dollarësh në Amerikë të partisë lëvizja socialiste për Integrim.

Ndërsa dosja tjetër që lidhet me hetimet për CEZ-DIA është ndjekur nga drejtuesi i SPAK Altin Dumani dhe prokurori Arben Kraja. Të dyja këto hetime janë bashkuar në një dosje te vetme, që çuan në pranga Metën dhe vunë në akuzë edhe Kryemadhin dhe 2 personat e tjerë. Meta është kallëzuar në SPAK edhe për dosjen CEZ-DIA. Në kallëzim thuhet se Meta në kohën që mbante postin e ministrit të jashtëm të këtë ndikuar që Kastriot Ismailaj të zgjidhej drejtues i kompanisë DIA për mbledhjen e borxheve të vjetra ndaj kompanisë CEZ duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit. Ismailaj është dënuar me 11 vite burg për akuzën e mashtrimit me pasoja të rënda. Nga ana tjetër Meta ka dhënë sqarime në prokurori për këtë çështje dhe ka mohuar përfshirjen e tij./abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!