Nga Ardit Rada
Ilir Meta është shfaqur i qetë në daljet e fundit mediatike duke përcjellë një imazh krejt të ndryshëm nga ai që kishte vulosur prej javësh. Tani, njeriu që kishte gjetur shpëtim te sustat dhe paralelet, na duket me luhatje mendore kur e shohim si politikan mbi palët. Po aq i pasinqertë në sjellje dhe ato që thotë, saç paska qenë edhe me sportin dhe sulmet ndaj drejtësisë.
Mbrëmjen e së enjtes kryetari i Partisë së Lirisë (lexojeni gjithë jetën LSI) u distancua nga revanshi kundrejt SPAK duke u zbutur se e kishte personale me Altin Dumanin. Meta tha se s’kishte në plan të arratisej nga vendi, nëse ndaj tij do të kishte një urdhër kufizimi lirie.
Lajmi i keq është që Ilir Meta e sheh ende veten në kushtet e njeriut me pushtet që detyrimisht do ta marrë vesh i pari nëse do të arrestohet. Me pak fjalë, ai ka në dorë të çajë rrjetën e amerikanëve kur të dojë, por s’do ta bëjë për hir të së vërtetës që mbart (?!). Ai e mendon ende veten në kushtet kur deklaronte se nga vila e Lalëzit do të shënjestronte kryqëzorët e SHBA-ve derisa të binte heroikisht si Mujo Ulqinaku e të tjera lajthitje me radhë. E tmerrshme kur e mendon se s’ka kuptuar asgjë nga majat e pushtetit ku ka qenë, se edhe për 1 cigare hashash të kapur në Kukës lajmi shkon më parë në Uashington sesa në Tiranë.
Lajmi i mirë është që ai s’e mohon se mund të arrestohet dhe s’e mohon që nuk mund të arratiset. Çka tregon se askush s’e pret jashtë këtyre kufijve, duke konfirmuar atë që dimë prej kohësh për të dhe Sali Berishën. Që në 11 vitet e fundit i ka pritur veç Azerbajxhani dhe s’u ka ardhur askush nga Perëndimi as për ‘kryeshnosh’ e jo më për kauzat e tyre në opozitë. Perëndimin e kanë parë veç në rastet kur njëri shkonte te mbesa privatisht në Mynih dhe tjetri me të shoqen po privatisht shkojnë te fëmijët në Londër. Atje pastaj kuptohet se frymëzohen nga mjerimi ku jetojnë fëmijët e tyre, mendojnë sakrificat sesi ua përballojnë jetesën, njëri me lekët e vajzës që ka punuar para 25 vjetësh në Kosovë e që s’paskan fund, e tjetri me lekët e vjehrrës latifondiste dhe kthehen pastaj këtu për të vënë kujën për shpopullimin.
Sot, Ilir Meta dhe Sali Berisha po e shfrytëzojnë kredon politike veç për të shpëtuar veten nga drejtësia dhe këtë e zbardh drita e diellit aq sa po na verbon. Ata bëjnë sikur nuk e kuptojnë që shumica e popullit është dakord që të dy të mbyllen mundësisht te ‘7 penxheret’ e Gjirokastrës se burgu i Reçit ofron luks të madh për ta. Dhe kjo shumicë është shumë më e madhe sesa ajo që voton Edi Ramën. Është shumica e çdo sondazhi që e nxjerr SPAK institucionin më të besuar në vend me mbi 73% mbështetje popullore edhe pas arrestimit të Berishës, edhe pas lajmeve për arrestimin e Metës. Sigurisht kjo shumicë s’është organ akuze që të sigurojë prova, por kur dikush i autorizuar ta bëjë këtë rol, kjo shumicë është kail më shumë të protestojë për mbijetesën e rinocerontit të Xhavës sesa për të nxjerrë këta të dy nga qelitë. Ndaj edhe luftën e kanë përqendruar te drejtësia se po shkoi puna gjer te qelia, do t’u hidhen çelësat në det e s’ka burrë nëne t’i gjejë më.
Të ndodhur në këto kushte Berisha dhe Meta e kanë thelluar garën me njëri-tjetrin deri ditën e zgjedhjeve, si garanci se fituesi i ri brenda opozitës gëzon a-priori edhe një farë imuniteti. Ilir Meta i ka çuar një mesazh Sali Berishës se në datë 27 Prill pas Konventës së çetës së tij politike, do t’i çojë poshtë ballkonit mijëra njerëz. Kjo do të thotë se mijërat e Ilir Metës që do t’i gjezdisi nëpër Tiranë gjer të rruga ‘Mustafa Matohiti’ është një tregues force ndaj vetë Sali Berishës. Një, si të thuash, tregues se: Tani që ti ngele brenda prej mendve të Genc Gjokutajt, anëtarit të Kryesisë së partisë time, unë jam lideri i opozitës. Mijërat e mi janë më shumë se dhjetërat e tu që të mblidheshin poshtë dritares deri ditën e Bajramit.
Por s’ka asnjë shqetësim publik për këto mesazhe mes të njëjtit lloj kur mendon se këtë sjellje pati edhe Berisha ndaj Bashës, Bardhi ndaj Nokës, Kokalari ndaj Këlliçit e kështu me radhë. Pra një shfaqje e vjetër me regji po aq të vjetër. Mesazhet makiaveliste janë të vetmet gjëra që qeveria e bllokut të 21 Janarit ofron pa lekë.
Sot, shqetësimi i vetëm është se, a do ta zejë e shtuna e 27 Prillit Ilir Metën jashtë? SPAK arreston fundjavave, siç tha Milaim Zeka dje. Po se cilën fundjavë e dinë ata matanë Atlantikut që e duan Shqipërinë më shumë se Saliu dhe Iliri. Pavarësisht se i kanë çuar fëmijët jashtë, si për të mos i bërë më shumë zullume këtij vendi!