Partizani mësoi dje rivalin në Conference League. Sfintul Gheorghe është skuadra që do të përballet me të kuqtë dhe trajneri Ilir Daja ka folur për faqen e klubit. Fillimisht ai flet për gjendjen në skuadër: “Presim të plotësohemi aty ku kemi nevojë, sepse disa lojtarë janë larguar.
Jemi në bisedime me disa futbollistë për të plotësuar hapësirat, në mënyrë që përgatitja për ndeshjen e parë në transfertë në Moldavi, të na gjejë sa më mirë që të jetë e mundur”. Në lidhje me shortin, Daja shton:
“E para është plotësimi i ekipit me lojtarët e duhur për të pasur një përfaqësim sa më dinjitoz. Kemi marrë vesh kundërshtarin dhe ndeshjen e parë e kemi në transfertë. Është një kundërshtar që vitin e kaluar ka kaluar një tur në Kupat e Europës, ndërsa është eliminuar në kohën shtesë me Partizanin e Beogradit.
Kanë qenë përballje me 1 takim. Nuk është një ekip i lehtë, pavarësisht se koeficientin e ka të ulët. Është formuar në vitin 2003, pra ka pak vite në traditën e futbollit moldav. Prezantimi që ka bërë vjet, ka qenë pozitiv.
Lojtarët që do të përfaqësojnë Partizanin në Ligën e Konferencës, do të jenë pjesa më e madhe që do të përfaqësojnë Partizanin në edicionin tjetër. Mbas eliminatoreve do të kemi më shumë hapësira për të plotësuar grupin e Partizanit. Objektivat e Partizanit janë gjithmonë maksimale”. /abcnews.al