Objektivi titull te Partizani është fjalë e ndaluar. Shkak është bllokimi i merkatos dhe deri në vendimin e CAS, në kampin e kuq duhet t’i bëjnë llogaritë me lojtarët që kanë. Trajneri Ilir Daja i është gëzuar rikthimit të Esin Hakajt, i cili kishte menduar të largohej nga të kuqtë.
Gjithashtu ka një akord edhe me Esat Malën, kurse Jasir Asani është rikthyer nga Suedia. Sulmuesi anësor ishte huazuar tek AIK dhe së fundmi është rikthyer në Shqipëri. Nuk dihet nëse ai do të qëndroje te Partizani, edhe pse është nën kontratë me të kuqtë.
Trajneri Ilir Daja, në një intervistë të dhënë për ABC News, nuk i është shmangur edhe pyetjes për objektivat e klubit të kuq. Ai tregohet i sinqertë, teksa deklaron se fillimisht duhet të dijë grupin e lojtarëve që ka në dispozicion. Që ditën e prezantimit, ai ka ngulmuar për këtë.
“Partizani e ka objektivin konstant, por ne nuk e kemi përmendur titullin kampion. Dihet që ky klub në ccdo kampionat me këtë objektiv e nis. Ne do të dalim me objektiv më konkret pas mbarimit të merkatos.
Do të shohim grupin e lojtarëve që do të kemi në dispozicion. Është më e mira t’i marrim gjërat me radhë. Me zhbllokimin e merkatos mund të afrojmë elementë cilësorë, që të bëjnë të mundur realizimin e objektivit titull”, është shprehur Daja. /abcnews.al

