Në lidhje direkte për ABC e Mëngjesit, kërkuesja në Arkivat e Vatikanit, Nusha Zhuba, solli detaje të rralla mbi një nga simbolet më të mëdha shpirtërore shqiptare: Ikonën e Zojës së Shkodrës. Një histori e mbështjellë me mister, legjenda dhe dokumente arkivore, që prej shekujsh ngjall kureshtje në Shqipëri dhe Itali.
Sipas rrëfimeve më të njohura, historia e këtij imazhi nis më 25 prill 1467, kur fragmenti i afreskut u shkëput nga muri i kishës së vjetër agostiniane “Shën Maria” në Shkodër. Në atë kohë qyteti ndodhej nën kërcënimin osman dhe besohej se kisha rrezikonte përdhosjen. Legjenda thotë se piktura u ngrit për mrekulli nga muri dhe, e mbajtur nga engjëjt, mori fluturimin drejt Italisë mbi detin Adriatik.
Pak kohë më vonë, ikona u vendos në Shenjtëroren e “Madonna del Buon Consiglio” në Genazzano, pranë Romës, ku ndodhet edhe sot dhe adhurohet nga mijëra besimtarë. Sipas traditës, dy shtegtarë shqiptarë, Gjergji dhe De Sclavisi, e ndoqën ikonën deri në Itali, duke u bërë pjesë e legjendës që jeton ende sot.
Zhuba tregoi se në disa arkiva janë gjetur dokumente të rëndësishme që hedhin dritë mbi lëvizjen e ikonës dhe personazhet që lidhen me të. Një prej tyre është edhe materiali i marrë në Arkivin Marzi në Avezzano, që mund të ndihmojë në ndarjen mes mitit dhe së vërtetës historike.
Një tjetër element intriguese mbetet guri ku është gdhendur fjalia në shqip: “Mbi këto mure është falja”, dëshmi që lidhet me devocionin e hershëm shqiptar ndaj kësaj figure të shenjtë.
Ikona e Zojës së Shkodrës ka qenë ndër më të adhuruarat nga Papa Gjon Pali II dhe vijon të ketë rëndësi të veçantë edhe për Papa Leonin. Po ashtu, studiuesit kërkojnë të zbulojnë lidhjet e saj me kohën e Skënderbeut dhe princat shqiptarë që mund ta kenë dërguar në Itali. Mes legjendës së ikonës që fluturoi dhe dokumenteve të arkivave, misteri i Zojës së Shkodrës vazhdon të mbetet një nga rrëfimet më të jashtëzakonshme të historisë shqiptare.


