Ikën Reijnders, vjen Modriç/ Kroati pritet të zyrtarizohet shpejt, holandezi shitet te City

schedule12:40 - 4 Qershor, 2025

schedule 12:40 - 4 Qershor, 2025

Luka Modriç te Milan nuk është vetëm një ide. Pa skuadër që pas largimit nga Real Madrid, mesfushori 39 vjeçar është vetëm një firmë larg veshjes me ngjyrat kuqezi.

Të bindura për këtë janë mediat përtej Adriatikut. Sipas tyre, Igli Tare është takuar me Modriç në Kroaci, dhe ka marrë përgjigje pozitive nga ai. Mbeten vetëm të limohen detajet e fundit dhe zyrtarizimi pritet që këtë javë.

Me futbollistin kroat, mesfusha e Milan do të ndryshojë krejtësisht, pasi klubi kuqezi mbylli marrëveshjen për shitjen e Tijani Rejnders te Manchester City.

Anglezët pranuan të paguajnë 75 milion euro bashkë me bonuset për kartonin e holandezit, duke shënuar edhe shitjen rekord për Milan, pas asaj të Sandro Tonali.

Përveç Luka Modriç që sjell eksperiencë, por që nuk premton të ardhme, Igli Tare pritet të mbyllë shpejt edhe transferimin e një tjetër futbolliti për mesin e fushës.

Ai është Samuele Ricci, talenti i Torino dhe kombëtares italiane, që do t’i kushtojë arkave të klubit kuqezi rreth 25 milion euro.

Por ky është vetëm fillimi i revolucionit të Milan pas një sezonit të dështuar.

Me valixhet gati janë dy lojtarë të tjerë të rëndësishëm si Theo Hernandez apo Mike Maignan.

Mbrojtësi ka një ofertë të rëndësishme nga Al Hilal në Arabinë Saudite, ndërsa portieri kërkohet me ngulm nga Chelsea, që do shërbimet e tij që në Botërorin e Klubeve.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!