Drejtuesi i emisionit “Real Story” në ABC News, gazetari Sokol Balla deklaroi se kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçja, e cila deklaroi tërheqjen, është e paaftë.
Në një intervistë për “Tirana Live”, Balla u shpreh se kryetarja e Kushtetueses nuk mund t’i drejtohet për opinion Komisionit të Venecias, në lidhje me mbarimin e mandatit të saj.
Sipas Ballës, është e paprecedentë se si Zaçaj kërkonte të rrinte akoma në detyrë. Ndër të tjera, Balla shtoi se Zaçaj e futi Kushtetuesen në konflikt të panevojshëm me Kuvendi, lidhur me mandantin e deputetes Olta Xhaçka.
“Letra e kryetares së Gjykatës Kushtetuese është shumë e gjatë, në një paragraf të madh ajo vetëm nuk më përmend mua me emër te emisioni “Real Story”, për shkak të ekspozimit që unë dhe kolegët e mi i bëmë mbrëmë një letër të sajën, ishte një letër e saj ku ajo ka aplikuar në vendin e punës. Ajo në këtë letër të 22 shkurtit 2022 i referohet, që kërkon një vend pune si anëtare e Gjykatës Kushtetuese për pjesën e mbetur të mandatit të zonjës Vitore Tushes, në të cilën përmendet edhe data kur përfundon ky mandat, që është 10 mars 2025. Ndërkohë, kjo gjykatëse ka kërkuar të qëndrojë deri në janar të vitit 2026, duke iu referuar ditës kur ka bërë betimin para Presidentit të Republikës. Shqetësimi apo alarmi që unë ngrita, përse një kryetare e Gjykatës Kushtetuese po kërkon të qëndrojë në këtë pozicion dhe i drejtohet Komisionit të Venecias.
Ajo është e paaftë, nuk e meriton detyrën e kryetares, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese nuk mund t’i drejtohet Komisionit të Venecias. Minimalisht është e paaftë. Maksimalisht, unë nuk e di se çfarë ka në kokë zonja Zaçaj dhe përse ajo kërkon të qëndrojë me patjetër në këtë pozicion. Shumë njerëz thonë, pse kërkon të qëndrojë akoma Sali Berisha pas 33 vjetësh? Po të paktën Sali Berishën e votojnë 400 mijë veta, 500 mijë veta, duke iu referuar zgjedhjeve të fundit. Në letër, zonja Zaçaj ka paragraf shumë të madh, e quan të paprecedentë sulmin që po i bëhet në media.
E vërtet zonja Zaçja, është sulm i paprecedentë. Pasi njëkohësisht, është e paprecedentë, pse se si një kryetare e Gjykatës Kushtetuese, kërkon të rrijë me zor në detyrë. Ajo nuk ka bërë dorëheqje, por një tërheqje, shpresoj të mos jetë taktike. Nuk ka pasur guxim të mbajë qëndrim vetë. Ka luajtur me opinionin publik. Futet në konflikt të panevojshëm me Kuvendin e Shqipërisë, lidhur me mandatin e zonjës Xhaçka. Ajo e hodhi topin politikisht në Kuvendin e Shqipërisë. Për interesat e kujt? Atë nuk e di unë. Klima në Gjykatën Kushtetuese është nga më të këqijat. Kemi një Gjykatë Kushtetuese në krizë”, theksoi ai./abcnews.al