Idrizi: Ramën do ta nxjerrim në “pension”, pas 25 prillit të shkojë të luajë me Zahon

schedule11:30 - 9 Prill, 2021

schedule 11:30 - 9 Prill, 2021

Kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi ka zhvilluar një takim elektoral në qytetin e Lushnjes. Ai u shpreh se Rama varfëroi shqiptarët dhe se 450 mijë qytetarë në 4 vite kanë emigruar.

Gjatë fjalës tij ai u shpreh se në 25 prill, kryeministri Edi Rama do të shkojë në shtëpi sepse është lodhur 23 vite në pushtet.

“Ne nuk jemi duke hequr nga pushteti George Washingtonin, por jemi duke hequr Edi Ramën që të shkojë në shtëpi dhe të rrijë me Zahon sepse u lodh 23 vjet në pushtet”, ka theksuar ai.


Më tej ai tha se programi i PDIU-së ka në fokus bujqësinë, uljen e taksave si edhe nxitjen e prodhimeve vendas.

 “Sot çdo shqiptar, ju e shihni edhe këtu në Lushnje, ka probleme shumë të mëdha të varfërisë. Sot 60% e shqiptarëve jetojnë me 4 USD në ditë. Ne jemi në këtë aleancë për të gjithë ata burra e gra që nuk e dinë si do ta shtyjnë të nesërmen. Për të gjithë ata djem të cilët duan që pas 25 prillit të jetojnë në Shqipëri dhe të mos u japim si mundësi të vetme largimin nga Shqipëria. Jemi bashkuar për ata pensionistë që marrin pension qesharak dhe nuk iu del për të paguar dritat, ujin dhe ilaçet. Ne nuk kemi pasur asnjëherë një shtet që të funksionojë. Jemi në krizë shumë të madhe ekonomike, sociale, politike, por edhe demografike. Janë 450 mijë shqiptarë që kanë ikur vetëm në 4 vitet e fundit nga mungesa e shpresës, ndërkohë që ky kryeministër do t’i zëvendësojë me punëtorë nga Bangladeshi apo Pakistani. Ne jemi në një aleancë të madhe të të gjithë shqiptarëve, kundër një njeriu të vetëm i cili sot i ka kapur të gjithë pushtet në një dorë dhe të gjithë ekonominë për 5 shokët, miqtë, klientët e tij”, u shpreh Idrizi.

I ndalur tek protesta e kontrollorëve të AlbControl, Idrizi shtoi se kriza në aeroportin e Rinasit, dëshmoi më shumë se kurrë dështimin e funksionimit të shtetit.

25 prilli, tha kreu i PDIU, do të jetë dita që do të ndajë Shqipërinë nga një regjim autokratik.

Ai theksoi se mandatet e PDIU do të largojnë Edi Ramën nga pushteti i cili në këtë fushatë shkon përpara qytetarëve pa asnjë bilanc, ndryshe nga sa premtoi në 2017, kur kërkoi “tepsinë” i vetëm.

“Në demokraci, rotacioni, ndryshimi i elitave është gjëja më normale. Është shumë normale për një njeri që ka 8 vjet, sidomos në 4 vitet e fundit që ka krijuar probleme shumë të mëdha në varfërinë, pensione, largimin e të rinjve – të ndryshojë pushteti. Ne nuk jemi duke hequr nga pushteti George Washingtonin, por jemi duke hequr Edi Ramën që të shkojë në shtëpi dhe të rrijë me Zahon sepse u lodh 23 vjet në pushtet. Ne me forcën tonë dhe me mandatet tona, votat tona, do t’ia mundësojmë pensionin politik dhe rotacionin politik, duke e nxjerrë jashtë pushtetit Edi Ramën”, theksoi kryetari i PDIU.

Edhe përpara qytetarëve , kryetari i PDIU, Shpëtim Idrizi e vuri theksin te çështja Çame duke deklaruar se ajo do të avancojë, ndërsa hodhi akuza në drejtim të kryeministrit Edi Rama se investohet për të përçarë komunitetin çam.

“Nëse janë në PS për çështjen Çame, le të na tregojnë minimumi një marrëveshje që kanë me Edi Ramën. A do ta fusin çështjen Çame në programin qeveritar? A do ta kthejnë në librat e Historisë çështjen Çame? A do ta kenë në tryezën diplomatike me Greqinë? A do ta heqin Ligjin e Luftës? Këto janë kërkesat e para që duhet të bëjë çdo njeri që flet për çështjen Çame apo që flet në emër të komunitetit të shqiptarëve të Çamërisë.

Pas gjithçkaje që kanë bërë duke futur duart tek ne, për të na përçarë, për të bërë gjithçka, po ju them se jemi më të fortë se kurrë, edhe këtu në Lushnje. Në 25 prill të bëjmë ndryshimin e Shqipërisë dhe të çojmë djem e vajza patriotë në Parlamentin e Shqipërisë. Siç e kemi treguar, akoma edhe më shumë do ta tregojmë që ne dimë të ngremë zërin, dimë t’u dalim përballë kauzave tona në emrin tuaj dhe të gjithë shqiptarëve të Çamërisë”, deklaroi Idrizi.

/abcnews.al/