Idhulli Torres dhe kalimi tek Atletico, Dembele: Kam ardhur të shënoj gola

schedule17:59 - 14 Janar, 2021

schedule 17:59 - 14 Janar, 2021

Moussa Dembele është sulmuesi i ri i Atletico Madrid. Francezi me origjinë nga Mali erdhi në huazim nga Lyon (me të drejtë blerje nga Atletico në fund të sezonit për 33.5 milion euro) për të zëvendësuar Diego Costan dhe është gati për aventurën e re me “Los Colchoneros”.

24-vjeçari ndihet entuziast për kalimin tek ekipi i Diego Simeones dhe është prezantuar me këto fjalë përpara tifozëve të rinj. “Kjo është një sfidë e madhe për mua. Atletico Madrid është një klub i madh dhe i njohur në të gjithë botën. Ardhja këtu është një hap i madh për mua.

Jam i lumtur dhe mezi po pres të luaj me ekipin e ri. Vështirësi ka, pasi nuk e njeh gjuhën kur kalon në një shtet të ri. Do bëj maksimumin të mësoj sa më shpejt spanjishten. Edhe stadiumi ynë është i shkëlqyer, shpresoj që të rikthehen sa më shpejt tifozët në shkallë.

Mund të bisedoja me Lemar përpara se të firmosja kontratën, por vendosa të mos e bëj. Tani do të marr më shumë informacion prej tij. Shpresoj të shkoj mirë me të gjithë këtu. Trajneri? Simeone është më i miri, ose një ndër trajnerët më të mirë në planet.

Është një gjë e mirë për mua fakti që do të punoj me të. Uroj të bëjmë gjëra të bukura së bashku. Ai është një trajner fantastik, e ka treguar nga viti në vit, kështu që mund të flas vetëm gjëra të mira për të. Unë jam një sulmues të cilit i pëlqen të shënojë gola. Është detyra ime.

Më pëlqen të vrapoj dhe të sulmoj hapësirat, jam një lojtar fizik, por kam edhe teknikë të mirë. Kur isha i vogël, idhulli im ishte Fernando Torres, kështu që jam i lumtur që do të luaj në ekipin dhe stadiumin e tij“, thekson lojtari më i ri i Atletico Madrid. /abcnews.al