Identiteti i ri i krimit!

schedule22:27 - 14 Janar, 2022

schedule 22:27 - 14 Janar, 2022

Nga Linda Karadaku

Tridhjetë mijë euro ishte “tarifa” për çdo dokument të paligjshëm të nënshtetësisë greke, ku përfshiheshin 34 policë dhe që u çmontua pas shumë muajsh hetime nga Shërbimi i Brendshëm grek. Operacioni ka nisur në vitin 2013 dhe nga të dhënat e deritanishme duket se anëtarët e grupit kriminal kanë përfituar të paktën 5.000.000 euro, ndërsa janë gjetur dhe konfiskuar 600.000 euro. Ministri grek Takis Theodorikakos shkoi herët në mëngjes në Shërbimin e Punëve të Brendshme dhe u informua për 2 orë e gjysmë për këtë skandal, nga shefi i shërbimit, gjeneral-lejtnant Elias Kossivakis, për personat e përfshirë dhe rrjedhën e çështjes.

Ministria i kërkoi komandantit dhe drejtuesve të Shërbimit të Brendshëm që të vijojnë hetimet dhe zbardhjen e plotë të rastit për të nxjerrë fajtorët para drejtësisë. Sipas asaj që është bërë e ditur deri më tani nga Ministria e Mbrojtjes Civile, pas një hetimi shumë mujor dhe sistematik të Shërbimit të Punëve të Brendshme të Organeve të Sigurisë, janë arrestuar 30 persona, mes tyre: 9 policë aktivë (përfshirë një oficer), një nëpunës civil, një punonjës i Regjistrit të Pushtetit Vendor, një avokat dhe tetë shtetas. Në total, sipas hetimeve të deritanishme, në organizatën kriminale ka prova se janë përfshirë 34 punonjës policie. Të paktën nga data 26 prill 2013 deri më 30 nëntor 2021, ishte krijuar dhe kishte funksionuar një organizatë kriminale e përbërë kryesisht nga grekë, të kthyer nga vendet e BE-së, policë dhe nëpunës të tjerë civilë.

Grupi kriminal kishte krijuar një rrjet bashkëpunëtorësh dhe ishte aktiv në dhënien e kartave origjinale të identitetit, pasaportave greke dhe lejeve të drejtimit për shtetasit e huaj me precedentë të rëndë kriminalë. Në të njëjtën kohë, ata lehtësuan qëndrimin e paligjshëm në vend të shtetasve të huaj, të cilët gëzonin të gjitha të drejtat e shtetasve grekë, si lëshimi i numrit të regjistrimit tatimor, numrit të regjistrimit të sigurimeve shoqërore, dhe shërbimet publike, duke e vështirësuar gjetjen dhe arrestimin e disa prej tyre (me precedentë të rëndë kriminalë) nga policia dhe lehtësimin e daljes së tyre nga Greqia në vende të tjera, veçanërisht në Bashkimin Evropian dhe zonën Shengen, ku u arrestuan disa mbajtës të dokumenteve të “falsifikuara”.
Organizata kriminale ishte e strukturuar në mënyrë rigoroze, në mënyrë hierarkike, ishte shumë anëtarëshe, komplekse, me role të dallueshme dhe të ndërlidhura të anëtarëve të saj, ku secili anëtar i bindej me besnikëri rregullave të organizatës dhe “i nënshtrohej vullnetit të së tërës”.

Qëllimi i secilit ishte synimi i përbashkët, në lidhje me lëshimin e kartave të identitetit dhe pasaportave të shtetasve grekë, kryesisht për të huajt por edhe për vendasit, qoftë duke përdorur të dhëna të rreme të personave inekzistent, qoftë duke përdorur të dhëna të emigrantëve, me banim të përhershëm jashtë vendit dhe që nuk kishin dijeni që identitetet e tyre ishin vjedhur dhe po përdoreshin për qëllime kriminale. Ata kanë përdorur edhe të dhënat e shtetasve ekzistues grekë, pasi fillimisht kanë bërë deklarim të rremë për humbjen e kartës së identitetit, të lëshuar më herët ligjërisht, ose kanë lëshuar karta identiteti duke përdorur të dhënat reale të të interesuarve, por pasi kanë fituar në mënyrë të paligjshme shtetësinë greke. Të interesuarit arritën rast pas rasti të përfitonin qëndrimin dhe lëvizjen e tyre të lirë në vend, fshehjen e çdo të shkuare kriminale, largimin e tyre të papenguar nga vendi dhe lëvizjen e qëndrimin e tyre të lirë brenda dhe jashtë Bashkimit Europian dhe zonës Shengen, dhënien e lejeve të drejtimit, hartimin e regjistrave të rinj apo përdorimin e regjistrave ekzistues tatimor dhe për rrjedhojë krijimin e shoqërive dhe sipërmarrjeve dhe lidhjen e kontratave të çdo lloji.

Por ky nuk ishte një rast i veçantë. Në gusht 2020, një skandal i ngjashëm shpërtheu në Qipro, lidhur me shitjen e pasaportave për individët e akuzuar për krime, si dhe njerëz nga vende të tjera, ndikimi i të cilëve në qeveri ose në jetën publike i bën ata të prekshëm ndaj korrupsionit. Disa zyrtarë të rangut të lartë dhe familjet e tyre kanë marrë “pasaporta të arta” midis fundit të 2017 dhe 2019. Zbulimi u bë pas publikimit të një raporti që pretendonte se të paktën 12 mbajtës të “pasaportës së artë” ishin nën hetim penal. Programi i investimeve i ashtuquajtur “pasaporta e artë” e Qipros ku një pasaportë e vetme kërkon një investim minimal prej 2.5 milionë dollarësh, ka tërhequr shumë investitorë, sepse ajo i jep automatikisht nënshtetësinë mbajtësit të saj për të gjithë bllokun prej 27- anëtarësh të Bashkimit Evropian.

Dokumentet e administratës greke qipriote tregojnë se disa nga ata që kanë marrë pasaportat janë “persona të ekspozuar politikisht”, njerëz, pozitat e shquara të të cilëve në qeveri ose në jetën publike, mund t’i bëjnë ata të pambrojtur ndaj korrupsionit. Mbajtësit e pasaportave, “të ekspozuar politikisht” përfshijnë politikanë të zgjedhur, anëtarë të bordit dhe vëllain e një ish-kryeministri libanez. Gjithashtu në mesin e atyre që blenë një pasaportë ishin kryetari i dhomës së ulët të parlamentit të Afganistanit Mir Rahman Rahmani, kongresmeni vietnamez Pham Phu Quoc dhe ish politikani rus Igor Reva. Parlamenti grek qipriot përforcoi më pas kriteret e pranueshmërisë për të ashtuquajturin program investimi të “pasaportës së artë”, i cili ka sjellë miliarda të ardhura që nga prezantimi i tij pas një krize financiare të vitit 2013. Rreth 4,000 pasaporta qipriote greke u janë lëshuar investitorëve në kuadër të programit, duke gjeneruar të paktën 7.96 miliardë dollarë (7 miliardë euro) që nga viti 2013.

Administrata greke qipriote tha se 12 të huaj morën nënshtetësinë sipas programit të investimeve vetëm pasi u miratuan nga grekët qipriotë dhe agjencitë e huaja të ngarkuara. me verifikimin e aplikacioneve të tilla. Të 12-të – përfshirë katër rusë, dy persona nga Ukraina, Kina dhe Irani, dhe nga një nga Venezuela dhe Vietnami – siguruan pasaporta greke qipriote pasi kishin paguar të paktën 2.36 milionë dollarë (2 milionë euro) në investime, pavarësisht se ishin nën hetim për një shumëllojshmëri të krimeve të tilla si korrupsioni dhe mashtrimi. Qiproja mohoi akuzat, duke këmbëngulur se të gjithë ata që morën pasaportë plotësonin të gjitha kriteret e vendosura në atë kohë. Sipas ndryshimeve të fundit, rregullat e reja kundër pastrimit të parave do të përdoren për të forcuar mënyrën se si verifikohen investitorët e mundshëm. Një klauzolë tjetër e bën më të lehtë për investitorët e përfshirë ose të dënuar për një krim të rëndë që t’u hiqet shtetësia greke qipriote. Qiproja vendosi t’u heqë nënshtetësinë e 26 investitorëve të huaj nga vende duke përfshirë Rusinë, Kamboxhian, Malajzinë dhe Iranin pas raportimeve se ata ndoshta kishin thyer rregullat.

Presidenti grek qipriot, Nicos Anastasiades pranoi në atë kohë se mund të ishin bërë “gabime” në dhënien e këtyre “pasaportave të arta”. Në mars 2018, Greqisë iu desh të përballej me një tjetër krizë të këtij lloji, gjë që çoi në sekuestrimin e mbi 900 pasaportave dhe kartave të identitetit. 620 pasaporta u gjetën të regjistruara në bazat e të dhënave evropiane si të humbura ose të vjedhura. Më 25 shkurt 2018, Njësia kundër Krimit të Organizuar e Policisë greke arrestoi 11 anëtarë të një grupi ndërkombëtar të krimit të organizuar të përfshirë në vjedhjen dhe falsifikimin e dokumenteve të udhëtimit për të lehtësuar lëvizjen për përfitime të shtetasve të paligjshëm të vendeve të treta nëpër Evropë. Gjatë këtij hetimi të mbështetur nga Europoli, oficerët e policisë identifikuan anëtarët e organizatës kriminale dhe vendndodhjet e përdorura për fshehjen e dokumenteve. Grupi vodhi dokumente nga këmbësorët, pasagjerët në transportin publik dhe automjetet e parkuara. Rrjeti bashkëpunoi edhe me të tjerë që merrnin në mënyrë të paligjshme dokumente udhëtimi që i përkisnin shtetasve të vendeve të treta. Më pas ata i shisnin dokumentet me çmime bazuar në llojin e dokumentit të identitetit, vendin e lëshimit dhe ngjashmërinë me pronarin origjinal.

Anëtarët e grupit me banim në Francë shpesh përcillnin dokumente të vërteta udhëtimi të humbura ose të vjedhura duke përdorur kompani korrierësh ndërkombëtare. Gjatë një operacioni të gjerë në Atikë të Greqisë, u arrestuan 11 anëtarë të rrjetit, gjashtë prej tyre shtetas algjerianë, tre sirianë, një tunizian dhe një nga Palestina. U kryen shtatë kontrolle në shtëpi dhe u konfiskuan 939 dokumente udhëtimi. 620 prej tyre janë regjistruar si të humbura ose të vjedhura në bazat e të dhënave evropiane. U sekuestruan gjithashtu 30000 euro kesh, një automjet, pajisje falsifikuese, dokumente mashtruese, vula, fatura për transaksione financiare dhe një numër i madh pajisjesh dixhitale. Operacioni u krye nën ombrellën e Planit Operacional Kombëtar Grek të ndihmuar nga Europoli dhe të realizuar nga policia greke. Qëllimi i Planit është të shkatërronte rrjetet e organizuara kriminale të përfshira në kontrabandën e emigrantëve dhe të përforconte kontrollet dytësore të sigurisë në pikat e nxehta të migracionit.

Në vitin 2020, grekët zbuluan një rrjet kriminal prej të paktën 33 anëtarësh, përfshirë oficerë policie, të cilët vepronin për t’u pajisur me pasaporta dhe karta identiteti greke false kriminelët në pritje të arrestimit. Grupi vepronte që nga dhjetori 2016. Policët e përfshirë ishin pjesëtarë të forcave të policisë së Atikës dhe merrnin 5-40 mijë euro për dokument identifikimi. Personat e kërkuar që më pas kanë marrë këto dokumente janë bërë shtetas grekë me të dhëna të pastra, të lirë për të udhëtuar në BE. Të paktën 12 marrës të këtyre pasaportave false janë arrestuar në Greqi, Francë, Spanjë, Bullgari dhe Holandë, pasi ishin përfshirë në organizata kriminale, trafik droge, grabitje dhe vjedhje.

Në vendin fqinjë të Greqisë, në Maqedoninë e Veriut, në prill 2021, të paktën nëntë oficerë policie u arrestuan në një operacion kundër një bande të dyshuar kriminale që furnizonte të interesuarit me pasaporta false maqedonase dhe dokumente identiteti. Ministria e Brendshme tha se të paktën nëntë oficerë policie ishin arrestuar nën dyshimin se ishin pjesë e një grupi që lëshonte pasaporta dhe dokumente identiteti false për shtetas të huaj. Operacioni filloi pasi grupi ishte nën hetim dhe vëzhgim për më shumë se një vit, tha policia, duke shtuar se këto aktivitete u kryen në koordinim me Interpolin dhe Zyrën për Hetime të ambasadës së SHBA-së në Shkup. VMRO DPMNE opozitare pretendoi se biznesmeni kontrovers turk Sedat Peker kishte marrë pasaportë dhe dokumente identiteti nën identitetin e rremë të Xhadin Ademovskit me një adresë në Shkup.

Peker u arrestua në Maqedoninë e Veriut dhe më 18 janar u deportua në Kosovë. Në atë kohë, policia nuk arriti të shpjegonte pse Peker, një shtetas turk, u dërgua në Kosovë, ku Peker kishte një leje qëndrimi të përkohshëm biznesi në vend. Një emër tjetër që VMRO DPMNE e përmendi si pranues të dyshuar të dokumenteve të rreme të identifikimit nga Maqedonia e Veriut ishte shtetasi malazez Jovan Vukotiç. Një raport në korrik 2020 nga Iniciativa Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional me bazë në Gjenevë pretendonte se Vukotiç është “koka e Shkaljarit”, një nga dy bandat më të mëdha të drogës në Ballkan, shumica e anëtarëve të së cilës janë me origjinë nga Mali i Zi. Që nga viti 2015, një konflikt midis dy grupeve, Shkaljari dhe Kavaç, një bandë tjetër malazeze, ka marrë të paktën 40 jetë në vendin e vogël të Adriatikut.

Vukotiç kërkohet në Greqi si i dyshuar për trafik droge mes krimeve të tjera të rënda. Ai u arrestua në Turqi në vitin 2018 dhe u dërgua në Serbi, ku kreu një dënim prej 15 muajsh për përdorimin e pasaportës false dhe më pas u ekstradua nga Serbia në Mal të Zi në shkurt 2020. Ai kërkohej në Mal të Zi për tentativë vrasje, por prokuroria pezulloi procedimin ndaj tij në korrik 2020. Pasi u lirua nga burgu, prokuroria e akuzoi për shmangie të taksave në vlerën prej prej 22,800 eurosh. Rastet e operacioneve të tilla të mëdha si ato në Greqi, Qipro, Maqedoninë e Veriut apo Serbi, tregojnë qartë se marrja e një identiteti të ri është jetike për botën e krimit dhe natyrisht një biznes shumë fitimprurës për rrjetet kriminale që janë në këtë të ashtuquajtur “biznes”. /abcnews.al