Identifikimi biometrik, Hasa: Qeveria të japë menjëherë fondet

schedule16:11 - 10 Janar, 2021

schedule 16:11 - 10 Janar, 2021

Nga Juxhin Mustafaraj

Partia Demokratike e kishte kusht të panegociueshëm përdorimin e teknologjisë në zgjedhje, kur u ul në tryezën e Këshillit Politik.

Pas dakordësisë së PS për të implementuar 100 % identifikimin biometrik të zgjedhësve, KQZ hapi tenderin për të pranua ofertat e kompanive që do të merrnin përsipër procesin që do t’i hiqte nga duart komisionerëve të partive firmat në lista dhe kartat e identitetit.

Por nga 6 kompanitë që u bënë pjesë e tenderit me vlerë 17 milionë euro, e vetmja që mori përsipër procesin dhe qëndroi në garë ishte kompania me qendër në Angli, Smartmatik.

Për ekspertin e elektronikës dhe anëtarin e kryesisë së Partisë Demokratike, Endri Hasa, prezenca në garë e vetëm një kompanie nuk shihet si problem nëse ajo do të operojë sipas standardeve ndërkombëtare.

“Partia Demokratike nuk paragjykon askënd, ne duam implementim me standarde të parashikuara në Kodin Zgjedhor”, u shpreh ai.

Procesin e identifikimit elektronik të zgjedhësve demokratët e shohin si provën e radhës që qeveria duhet të demonstrojë vullnetin për të pasur zgjedhje të lira e të ndershme.

“Qeveria duhet t’i garantojë sa më parë fondet në mënyrë që KQZ të negociojë kontratat dhe në bazë të vlerësimit të vijohet më tej”, tha Hasa.

Por a rrezikojmë që në rast tërheqje të kompanisë apo vonesë të fondeve, sërish të shkojmë drejtë skenarit kur përfaqësuesit e partive politike do të verifikojnë sërish zgjedhësit?

“Unë mendoj se ne jemi ende në kohë që ky skenar të mos ndodhë. Do një vullnet të të gjitha palave që kjo gjë të ecë përpara. Lëvrimi i fondit në mënyrë të pjesshmë do t’i pamundësojë KQZ të vijojë më tej me proceset”, tha më tej ai.

Kompania Smartmatik ka punuar në vitit 2019 me Partinë Socialiste të cilës i solli pajisje për të zhvilluar votim elektronik në zgjedhjet e brendshme partiake. Teksa që prej vitit 2000 është e specializuar për prodhimin e sistemeve të votës elektronike, të përdorura në vende, si Estoni, Filipine, etj, si dhe në përdorimin e kësaj teknologjie në primaret Presidenciale Republikane./abcnews.al/