Ideja e Trump, bazë ushtarake kundër Iranit

schedule22:35 - 4 Shkurt, 2019

schedule 22:35 - 4 Shkurt, 2019

Ideja e Donald Trump për përdorimin e Irakut si bazë logjistike për të mbikëqyrur Iranin ka acaruar tej mase Bagdadin zyrtar. Në një reagim, qeveria irakene ka deklaruar se presidenti amerikan nuk mund ta përdorë territorin iranian sipas dëshirave.

Presidenti iraken Barham Saleh ka kritikuar homologun amerikan Donald Trump lidhur me deklaratat e tij për përdorimin e një baze ushtarake në Irak për të mbikëqyrur Iranin. Ditën e diel, në një intervistë për CBS, Trump deklaroi se kishte ndërmend të mbante në Irak një bazë të rëndësishme, që aktualisht përdoret nga trupat amerikane për të luftuar ISIS, pasi dëshiron të mbikëqyrë Iranin. Por për presidentin Saleh, Shtetet e Bashkuara nuk i kanë kërkuar leje Bagdadit zyrtar për të patur një bazë të tillë. Sipas tij, trupat në strukturën aktuale duhet t’i përmbahen agjendës së luftës kundër terrorizmit dhe jo të angazhohen në çështje të tjera. Aktualisht llogaritet se në Irak ndodhet një personel ushtarak amerikan prej 5 mijë njësi, i autorizuar të stërvisë, këshillojë dhe asistojë forcat irakene të sigurisë në luftën kundër ISIS, që prej më shumë se një viti e ka humbur kontrollin e territorit. Në intervistën e dhënë për CBS, Trump mbrojti vendimin e tij për të tërhequr rreth 2 mijë trupa të vendosura në Siri për të mbështetur milicitë kurde në luftën kundër Shtetit Islamik. Ai nënvizoi se shumë shpejt trupat do të dërgohen në bazën e madhe Al Asad, në provincën irakene të Anbarit dhe detyra e tyre e re do të jetë mbrojtja e Izraelit dhe mbikëqyrja e Iranit. Administrata amerikane akuzon Republikën Islamike se është sponsori më i madh i terrorizmit në botë dhe se kërkon të pajiset me armë bërthamore./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!