Milani po kërkon prej kohësh për një sulmues. Shumë emra kanë qarkulluar, teksa kuqezinjtë ishin shumë afër akordit me Oliver Giroud, por sulmuesi francez nuk po ndahet me Chelsea.
Drejtuesit e klubit italian nuk kanë kohë për të humbur dhe kanë piketuar Dusan Tadic, kapitenin e Ajax. Lojtari serb luan në çdo pozicion të repartit ofensiv, diçka që vlerësohet nga Milani.
Gazetari italian, Daniele Longo shkruan se Tadic është entuziast për kalimin në klubin e famshëm dhe ka dhënë miratimin e tij në lidhje me këtë transferim.
Dyshja Maldini-Massara duhet të gjejnë marrëveshjen me kampionët e Holandës, me të cilët 32-vjeçari ka edhe dy vite kontratë.
Operacioni pritet të mbyllet për shifrën e 15-20 milion eurove. Tadic numëron 76 gola dhe 70 asiste në 149 ndeshje të luajtura me skuadrën e Ajax. /abcnews.al