Lazio e mbylli në mënyrë spektakolare vitin 2019. Ekipi nga kryeqyteti mposhti 3-1 Juventusin dhe fitoi Superkupën e Italisë për herë të pestë në histori. Edhe ecuria në kampionat është fantastike, teksa ekipi i Inzaghit i ka fituar të tetë ndeshjet e fundit.
Kreu gjendet 6 pikë larg, por Lazio ka për të luajtur një ndeshje më shumë se Inter dhe Juventus. Tifozët kanë filluar të ëndërrojnë titullin, ndërsa klubi po mendon të shfrytëzojë këtë entuziazëm të madh.
Drejtuesit kanë një ide dhe mund të rihapin fushatën e abonimeve. Diçka e tillë do të sillte mbushjen e “Olimpicos” dhe bardhekaltrit do të kishin një armë më shumë në fazën e dytë. Ekipi do të qëndrojë pushim deri me datë 30 dhjetor.
Ditën e parafundit të vitit do të nisë stërvitja dhe dyert e “Formellos” do të jenë të hapura për të gjithë tifozët, të cilët pritet të “pushtojnë” qendrën stërvitore të ekipit të tyre të zemrës. /abcnews.al