Zlatan Ibrahimovic është nga ata që i thotë gjërat troç. Sulmuesin nuk e kënaq ky Milan, pasi ka provuar të luajë në një tjetër, që luftonte për trofe dhe që kishte kampionë në skuadër. Prej atëherë gjërat kanë ndryshuar shumë dhe suedezi e thotë hapur në intervistën e dhënë për Sportmediaset.
“Nuk është Milani i së shkuarës, mund ta them këtë sepse kam qenë këtu 10-11 vite më parë, kur isha i ri. Tani të gjithë thonë që jam i vjetër, por më e rëndësishme është ajo që ju bëni në fushë. Padyshim nuk është i njëjti Milan, është një klub krejt tjetër, bëjnë gjëra ndryshe dhe skuadra nuk është e njëjtë.
Pastaj qëllimet tona janë ndoshta të ndryshme. Milani që kam qenë më parë është ai që kam në mendje, Prandaj edhe e thashë që ky Milan nuk është ai i 10 viteve më parë. Normalisht nuk duhet të mendojmë për të shkuarën, por për të ardhmen dhe që të bëjmë sa më mirë të mundemi. Nuk kemi pse mendojmë negativisht. Unë dua të ndihmoj që gjërat të bëhen më mirë”.
“E ardhmja? Nëse nuk qëndroj, nuk është prej faktit që Milani nuk është i dikurshmi. Para 6 muajsh dihet si ishte situata dhe erdha me pasion dhe me dëshirën për të ndihmuar. Dua të shoh Milanin të luftojë për vendin e parë, të luajë në Champions dhe të ketë kampionë në skuadër”.
“Dua të ndihmoj ekipin, t’u jap mundësinë lojtarët të kenë ndjesinë që kanë në ekip një lojtar me përvojë, që ka fituar dhe ka luajtur me kampionë që ishin shembujt e mi kur isha i ri. Tani kanë mbetur pak ndeshje, ndaj le të luftojmë të renditemi sa më lart”.
“Nuk e di çfarë do të bëj vitin tjetër. Raiola më telefonoi një ditë dhe më pyeti vetëm një gjë, nëse po argëtohem duke luajtur futboll. I thashë që po dhe dëshira ime tani varet nga objektivat e klubit. Unë luaj për objektiva dhe jo për kontratën. A më ka telefonuar Milani? Deri tani asnjë thirrje nuk kam marrë”. /abcnews.al