I zgjedhuri i Trump për Prokuror kalon pengesën e parë në Senat

schedule23:00 - 7 Shkurt, 2019

schedule 23:00 - 7 Shkurt, 2019

Ndërsa Kongresi i ka shpallur luftë me hetimet e tij, Senati po i shkon për shtat presidentit Donald Trump. Komisioni gjyqësor ka votuar pro të zgjedhurit të tij për postin e prokurorit të përgjithshëm, i cili flitet se mund të lehtësojë pozitat e kreut të shtetit në lidhje me hetimet mbi ndërhyrjen ruse.

“Persekutim presidencial”. Kështu i ka cilësuar hetimet e nisura nga demokratët në dëm të tij presidenti amerikan Donald Trump. Në reagimin e radhës ndaj nismave të rivalëve politikë, që tashmë kontrollojnë Kongresin, Trump është shprehur: “Demokratët dhe komisionet e tyre hetimore janë një çmenduri”. Por ndërsa Kongresi duket se po i vendos shkopin ndër rrota, Senati po ia lehtëson disi situatën kreut të shtetit. Ditën e enjte, komisioni gjyqësor miratoi të emëruarin e Trump për prokuror të përgjithshëm, Uilliam Bar.

Votimi u krye sipas linjave partiake. Republikanët e vlerësuan Bar si një person të kualifikuar, ndërsa demokratët votuan kundër me argumentin se ai mund të pengojë publikimin e të dhënave të hetimeve mbi ndërhyrjen ruse, që do të jetë dhe testi i pavarësisë së tij nga presidenti Trump nëse konfirmohet përfundimisht.

Vitin e kaluar Bar e kritikoi hetimin e udhëhequr nga Robert Myler, por tha se nëse zgjidhet do të bëjë gjithçka për publikimin e konkluzioneve të tij. Megjithatë, ai nuk premtoi nëse do të mundësojë publikimin e të gjithë dosjes, duke cituar këtu rregulloren e Departamentit të Drejtësisë. Aktualisht Bar punon si avokat korporatash, ndërsa ka mbajtur postin e prokurorit të përgjithshëm në vitet ‘90, gjatë administratës së Bushit të vjetër. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!