Gjesti i ushtarit amerikan Aaron Bushnell, i cili i vuri flakën vetes para ambasadës izraelite në Uashington, në shenjë proteste kundër luftës në Gaza, është shenjë e një “krize legjitimiteti në sistemin ndërkombëtar”. Kështu tha ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan në një forum diplomatik në Antalia.
“Ajo që po ndodh në Gaza është një dëshmi e krizës së sistemit ndërkombëtar. Ushtari amerikan që i vuri flakën vetes sepse nuk mund të mbështeste më atë që po ndodhte në Gaza është një zhvillim domethënës i kësaj krize të sistemit ndërkombëtar“, theksoi Fidan gjatë fjalës që mbajti në forum.
Ushtari 25 vjeçar regjistroi një video, ku shihej duke i vënë flakën vetes dhe duke bërë thirrje për çlirimin e Palestinës. Ai u dërgua në gjendje të rëndë në spital por ndërroi jetë disa orë më vonë.
“Unë nuk do të jem më bashkëpunëtor në gjenocid. Unë jam gati të ndërmarr një akt ekstrem proteste, por në krahasim me atë që njerëzit përjetuan në Palestinë nga duart e kolonizatorëve të tyre, nuk është aspak ekstreme. Kjo është ajo që klasa jonë në pushtet ka vendosur se do të jetë normale”, tha ai./abcnews.al