I vuri flakën kabllove që të përfitonte bakrin, por dogji shinat e trenit, arrestohet 58-vjeçari në Lushnjë

schedule15:36 - 13 Shtator, 2023

schedule 15:36 - 13 Shtator, 2023

Një 58-vjeçar në Lushnje ka përfunduar në prangat e policisë. Kjo pasi disa ditë më parë, ai i vuri flakën disa kabllove, në mënyrë që të përfitonte bakër, por si pasojë, u dogjën shinat e linjës hekurudhore të qytetit, dhe sipërfaqe toke të mbjella.

Njoftimi i Policisë:

Lushnjë/Vijon puna hetimore dhe operacionale për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale autorët e krimit të zjarrvënies.

Ndezi zjarr për të djegur kabllo, që të përftonte bakër, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, u dogjën shina të linjës hekurudhore të qytetit, dhe sipërfaqe toke të mbjella, arrestohet 58-vjeçari.

Pas marrjes së njoftimit për një zjarr në lagjen “Çlirimi”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur kapjen në flagrancë dhe vënien në pranga të autorit të këtij rasti, shtetasit I. H., 58 vjeç, banues në Lushnjë.

Shtetasi I. H. ka ndezur zjarr në afërsi të shinave të trenit, në lagjen “Çlirimi”, për të djegur disa kabllo, me qëllim përftimin e materialit të bakrit. Si pasojë e përhapjes së flakëve, janë djegur disa shina të linjës hekurudhore dhe sipërfaqe toke të mbjella, në pronësi të një shtetasi tjetër.

Theksojmë se falë reagimit të shpejtë të Policisë dhe angazhimit maksimal për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, autorët e veprimtarisë kriminale të zjarrvënies (së qëllimshme apo nga pakujdesia), gjatë këtij sezoni, në qarkun Fier, janë proceduar penalisht 27 shtetas, nga të cilët, 8 janë vënë në pranga dhe 19 janë proceduar në gjendje të lirë.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për qytetarët që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi ky veprim përbën krim dhe ndëshkohet penalisht. Gjithashtu, i fton ata që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të tillë, me qëllim ndërhyrjen e menjëhershme për shuarjen e flakëve dhe për procedimin penal të shtetasve përgjegjës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!