“Nuk kam asnjë konflikt me askënd” ka qenë kjo deklarata e Suida Kukës, drejtoreshes së Operatorit te Kujdesit Shëndetësor Shkodër, e cila dyshohet të ketë qenë shënjestra e një atentati me tritol.
Nga sa mësohet lënda plasëse e cila ishte e vendosur poshtë automjetit të Suida Kuka ka qenë e mbështjellë me një pako të kroasantëve, dhe sipas grupit hetimor kishte të integruar edhe pajisjen e telekomandimit të shpërthimit.
Nga ana tjetër nuk është e qartë se si është kuptuar që poshtë mjetit tip “Range Rover” është një pako e dyshimtë. Pasi ka qenë vetë Suida Kuka e cila ka njoftuar policinë, se poshtë fuoristradës së saj ndodhet një pako e dyshimtë.
Policia ka rrethuar perimetrin dhe ka evakuuar punonjësit e godinës së Drejtorisë së Shëndetit Publik Shkodër. Nga ana tjetër po administrohen edhe kamerat e bizneseve të zonës dhe te godinës se DSHP për të bërë të mundur identifikimin e autorit të vendosjes së pakos me tritol.
Suida Kuka është emëruar drejtore e Operatorit të Kujdesit Shëndetësor Shkodër në maj të këtij viti. /abcnews.al/