Shqiptari u gjet i varur në furgonin e policisë greke, vëllai: E vranë gardianët, autopsia të bëhet këtu

schedule11:54 - 7 Dhjetor, 2021

schedule 11:54 - 7 Dhjetor, 2021

Shkëlqim Rusi, vëllai i të burgosurit shqiptar Adem Rusi që u gjet i varur në furgonin e policisë greke ka dhënë versionin e tij për ngjarjen. Ai thotë se i vëllai është vrarë nga gardianët e burgut, duke theksuar se atij i kishin mbetur vetëm pak muaj për të vuajtur dënimin dhe nuk kishte asnjë arsye për të ndërmarrë aktin ekstrem.

Rusi tregon bisedën me të vëllanë tre orë para ngjarjes dhe thotë se më pas ka marrë telefonatën nga drejtori i burgut se ai është dërguar në spital për një vizitë mjekësore rutinë

“Unë kisha folur 3 orë para ngjarjes me vëllain tim në mënyrë private, më pas më morën në telefon dhe më thanë se  e kemi dërguar në spital  për vizitë mjekësore rutinë, më ka thënë drejtori i burgut. Pastaj më thanë që kish pirë klorinë dhe pas kthimit nga spitali vari veten me lidhësen e këpucëve. Kjo për mua është e pa pranueshme është vrasje. Vëllai kishte edhe 2-3 muaj burg që të mbaronte dënimin.

Ai ka folur me të gjithë njerëzit dhe askush nuk e beson që është vetëvrasje, atë e kanë  vrarë gardianët ata që e kanë shoqëruar”, shprehet ai.

Ai hedh dyshime duke shtuar se shoqërimi i të burgosurve nuk lejohet të bëhet duke mbajtur me vete rrip apo lidhëse. Shkëlqim Rusi kërkon që autopsia për të përcaktuar shkaqet e vdekjues të bëhet në Shqipëri.

“Ngjarja ka ndodhur në makinën e policisë, sepse ata thanë që ishte vetëvarur në kangjellën e furgonit, kjo është e papranueshme, nuk lejohet shoqërimi i të burgosurit me rrip apo lidhëse për më tepër je me pranga dhe i shoqëruar. Ne kërkojmë që të bëhet autopsia këtu në Shqipëri, pasi presim të vijë këto ditë.

Të bëhet autopsia pasi shteti jonë vetëm fle gjumë, janë vrarë shumë shqiptarë atje, pas vëllait tim mund ta ketë radhën dikush tjetër dhe nuk është zbardhur asgjë. Kemi shkuar në prokurorinë tonë dhe më kanë thënë që nuk kemi akses për hetime. Askush nuk e merr përsipër. Ne duam të bëhet autopsia dhe të dalë e vërteta. Vëllai nuk ka pasur asnjë problem me shëndetin mendor. Të varesh në furgon të policisë i shoqëruar nga gardianët nuk e beson asnjë fëmijë. Kërkojmë të zbardhet e vërteta”, thotë ai. m.v/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!