Lulzim Hajdaraj bashkë me vëllanë e tij Gëzimin, udhëtuan nga Këlni, drejt qytetit Bad Neunar të Gjermanisë, për t’u ardhur në ndihmë personave që u dëmtuan jashtëzakonisht nga përmbytjet që kanë përfshirë Evropën.
Lulzimi tha se të dielën në orët e vona të mbrëmjes janë kthyer në shtëpi, pas qëndrimit në qytetin i cili sipas tij, ishte përmbytur pothuajse i tëri. “I thashë jam nga Kosova, ai filloi të qajë…”, flet shqiptari që iu ndihmoi gjermanëve pas vërshimeve. “Ne shkuam në mëngjes dhe pritem gjatë në kolona për të hyrë në qytet”, tha Hajdaraj.
Tutje, ai tha se me të arritur në qytet bashkë me vëllanë, kanë pyetur se kush ka nevojë për ndihmë në pastrimin e banesave dhe lokaleve, të cilat siç thotë Lulzimi, ishin dëmtuar dhe mbushur me baltë.
“Në katet e para, podrumet ishin të prishura, kishte shumë baltë. Ne iu ndihmuam t’i hedhim jashtë të tëra. Ishte trishtim të shohësh ashtu një qytet të tërë të shkatërruar”, tha shqiptari nga fshati Abri i komunës së Drenasit. Ndër të tjerash, Lulzimi tregoi se gjermanët ishin gëzuar që këta dy vëllezër shqiptarë kishin marrë rrugë nga Këlni për t’iu dalë në ndihmë.
“Ata u gëzuan që ne nuk e kishim harruar ndihmën e tyre që ata e kanë bërë në kohën e luftës dhe atë që shteti gjerman bën edhe sot. Një banor tjetër që e takuam na pyeti nga jeni, dhe ne i treguam që vijmë nga Kosova dhe kemi ardh t’iu dalim në ndihmë për këtë katastrofën që ka ndodhur. Ai filloi të qajë dhe tha disa herë ‘faleminderit nga ju që po na bashkoheni në këto momente të vështira”.
Në fund, Lulzimi tha se ai dhe vëllai i tij dëshiruan të kontribuojnë edhe më tepër por për shkak të biznesit që kanë në Këln, duhet të vazhdonin punën. Po ashtu, ai theksoi se bashkë me ta, ishte edhe një shqiptar, banor i qytetit Bad Neunar, i cili ndihmoi vëllezërit kosovarë.
Të paktën 157 njerëz raportohet të kenë vdekur nga përmbytjet, duke përfshirë katër zjarrfikës. Rreth 31 persona kanë vdekur në Belgjikë. Mijëra njerëz janë të zhdukur, por shumë prej tyre janë gjetur.
Në qytetin Bad Neuenahr në rajonin Ahrweiler të Rhineland-Palatinate, banorët (edhe shqiptarët) kanë filluar një operacion të pastrimit, duke hequr baltë nga rrugët dhe grumbuj mbeturinash./ KlanKosova