Zlatan Ibrahimovic e ka ndarë mendjen se ku do ta vijojë karrierën, gjithmonë nëse ajo çka thotë është një “show” i madh i suedezit. Së fundmi ai ka dhënë një intervistë të gjatë për “GQ Italia” dhe fillimisht flet për eksperiencën në MLS me Los Angeles Galaxy, për të kaluar më pas tek e ardhmja në… Itali. Nga ato që thotë, Milani do të jetë ekipi i tij i ri.
“Jam i lumtur që përjetova këtë eksperiencë te Los Angeles Galaxy, edhe sepse pas dëmtimit shumë njerëz thanë se nuk mund të luaja më. Përkundrazi tregova se mund të bëj akoma diferencën. Gjithsesi pas dy vitesh thashë mjaft.
Këtu, në nivel teknik dhe taktik duan akoma kohë të rriten. Për të vrapuar, vrapojnë, janë kafshë. Por nuk janë mësuar të luajnë me këmbë, sepse në të gjitha sportet e tyre tradicionale përdorin duart”, u shpreh Ibrahimovic.
“E ardhmja? Unë do të shkoj në një ekip që duhet të fitojë përsëri, që duhet të rinovojë historinë e tij, që është në kërkim të një sfidë kundër të gjithëve. Vetëm kështu do të jem në gjendje të gjej stimujt e nevojshëm për t’ju befasuar sërish.
Si futbollist nuk është vetëm çështje zgjedhje e një skuadre. Ka edhe shumë faktorë të tjerë që duhet të përfshihen. Edhe në interes të familjes time. Shihemi së shpejti në Itali”, ka deklaruar mes të tjerash Ibra për revistën e njohur. /abcnews.al
