Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka reaguar pas sulmeve ndaj Policisë së Kosovës në veri.
I shqetësuar për dëmtimin e stabilitetit rajonal, ai ka bërë thirrje për përmbajtje nga çdo veprim që mund të përkeqësojë situatën.
“I shqetësuar thellësisht nga raportimet për një sulm të armatosur ndaj policisë në Zubin Potok të Kosovës. Ne e dënojmë këtë sulm të dhunshëm dhe bëjmë thirrje për përmbajtje nga çdo veprim që mund të dëmtojë sigurinë dhe stabilitetin e rajonit tonë”, ka shkruar Osmani në Twitter.
Pas katër sulmeve brenda tri ditësh që u raportua dje nga Ministria e Brendshme dhe Policia e Kosovës, sot është raportuar edhe për dy shpërthime në Sharpej të Jarinjës, afër veturës së policisë e cila ishte në një pikë statike ku policia ishte e përqendruar në parandalim të kontrabandës në atë zonë. Dyshimet janë se mjetet piroteknike janë hedhur nga territori i Serbisë. Nga këto shpërthime s’ka të lënduar e as dëme materiale./Express