Kryeministri Edi Rama bashkë me të shoqen Linda Rama u janë drejtuar kutive të votimit në zonën ku ata banojnë në Surrel. Pasi hodhi votën, Rama doli nga qendra e votimit me një përshëndetje: “Punë e mbarë, rroftë Sureli”.
Pastaj në dalje kreu i qeverisë deklaroi se sot është dita kur nuk duhet të ushqejmë ndjenjë negative ndaj askujt ndërsa u bëri apel qytetarëve të dalin dhe të gjuajnë penalltinë e tyre.
“Sot është një ditë shumë e bukur. Sot është dita që të mos ushqejmë asnjë ndjenjë negative ndaj askujt që me votën e vet shpreh një vullnet tjetër. Të mos e harrojmë që jemi një familje e madhe në të njëjtin atdhe. Askush të mos harrojë që demokracia është një sport pa spektatorë dhe secili duhet të zbresë vetë në fushë dhe të gjuajë vetë penalltinë”, tha Rama.
Ai u pyet nga gazetarët për “penalltinë” e Albin Kurtit, por nuk dha përgjigje. Ndryshe nga përfaqësuesit e tjerë politikë, kreu i qeverisë Edi Rama u shfaq në qendrën e votimit me simbole të partisë së tij, nr 12 në kapele, ndonëse kjo është e ndaluar me kod zgjedhor./mv.abcnews.al