I rritur me muzikë, por me sytë nga drejtësia, kush është djali nga Vlora që “e qan” këngën labe

schedule10:30 - 4 Dhjetor, 2023

schedule 10:30 - 4 Dhjetor, 2023

Kristi Lamaj është djali nga Vlora që këndon këngën labe në mënyrë të përkryer. Ai është rritur me muzikë, mirëpo studimet e larta vendosi t’i vazhdonte për drejtësi.

I ftuar në “ABC e Mëngjesit”, Kristi tregoi se karrierën muzikore e ka nisur me muzikë të lehtë, duke i befasuar të gjithë studio. I riu zbuloi se ka konkuruar në Festivalin ‘Kënga Magjike’ me një baladë, por që fatkeqësisht nuk arriti t’i kalonte të gjitha fazat.

Ndërsa sa i përket studimeve, Kristi tha se bëri këtë zgjedhje, pasi donte që në jetë të kishte një plan B.

“Kam studiuar muzikë që 12 vjeç. Fillimisht, kam studiuar veglën e trombës. Doja të bëja kanto, po nuk më lejonin për moshën e asokohe dhe prita deri sa mbusha moshën e gjimnazit. Shkova në Lice dhe u diplomova për kanto, muzikë klasike. Më pas vazhdova.

Debutimin e parë çuditërisht nuk e pata me muzikë popullore, e pata me muzikën e lehtë. Shkova te Kënga Magjike në 2019 dhe në juri ishte dhe Kel Demi. Ka qene kënga ‘Pa faj’ një baladë. 

Vendosa të ndiqja studimet e larta për drejtësi se doja diçka tjetër. Mirë është të kesh një plan B në jetë. Unë vazhdoj për ‘Të drejtën Civile’ ku do të kem dhe të drejtën e autorit. Mendoj që do ta kem në funksion të muzikës. Doja diçka që ta kisha paralel me muzikën, janë dy gjëra që nuk shkojnë sepse duan të dyja kohë të plotë, por mendoj se mund t’ia dalë”, u shpreh këngëtari i ri./abcnews.al