Daniel Kuçaj është bërë i njohur për punime e veçanta që realizon me bakër. I riu ishte i ftuar në emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, ku tregoi se si e ktheu pasionin në një profesion. Gjatë bisedës me moderatorin Alban Musa, Danieli tregoi se nisi si nevojë për dhurata por më pas vendosi t’i kushtonte më shumë kohë.
Ka një faqe në Instagram ku ndan punimet ndërsa ka arritur të krijojë dhe klientelën e tij. “Nisi si një nevojë për të bërë dhurata pasi duke pasur një shoqëri të gjerë, dhuratat ishin të kushtueshme. Për herë të parë kam krijuar një unazë. Më pas pati kërkesa të vazhdueshme dhe hapa një faqe në instagram.’, tha ai.
Por jo pa arsye përdor bakrin për punimet e tij. Ai tregoi se përveç faktit se është i lehtë në të punuar, bakri ofron një sërë përfitimesh për trupin. “Është një element që është përdorur që në epokën e bakrit dhe ka disa arsye. Është i mirë për ta mbajtur në lëkurë sepse heq toksinat nga trupi.
I jep gjithashtu trupit bakrin e nevojitur. Nëse bakri është i shtuar në trup, e merr këtë sasi dhe e akumulon. Është përdorur dhe për luftra. Kur plagoseshin ushtarët përdornin enë prej bakri për ujin. Pasi nëse uji mund të kishte toksina dhe bakri i largon.
Përdoret gjithashtu dhe në dorezat e dyerve pasi duke qenë se preken nga shumë njerëz, mikrobet nuk jetojnë gjatë në bakër.”, tha mes të tjerash ai. /abcnews.al