Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur mesditën e sotme në Vlorë pranë zonës së njohur si Poliklinika. Një i ri nga Shkodra i identifikuar si Fadil Nikaj, ka plagosur me pistoletë një vajzë 20-vjeçare, K.Z përpara një lokali, duke e qëlluar me një plumb në këmbë. Por sikur të mos mjaftonte kjo, shkodrani ka hedhur edhe një granatë pranë ambienteve të lokalit ku ndodhi ngjarja, por fatmirësisht kjo granatë nuk shpërtheu duke shmangur kështu një tragjedi.
Vajza nga Berati e cila ishte studente në Vlorë, ka përfunduar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë autori është arrestuar brenda pak minutave. Ngjarja ka ndodhur pas një debate verbal mes dy të rinjve. Raportohet se Fadil Nikaj dyshohej se ka pasur një lidhje dashurie me studenten 20-vjeçare.
Gazetari i ABC, Elton Nika, raporton se fillimisht i riu ka qenë i ulur i vetëm në kafe, ndërkohë që menjëherë pas mbërritjes së vajzës, ka nisur dhe konflikti mes tyre. Ai e ka tërhequr atë për disa metra zvarrë dhe më pas e ka qëlluar me armë.
Kjo ngjarje është raportuar menjëherë në polici, ku këta të fundit kanë bërë të mundur arrestimin e autorit të cilit pas kontrollit i kanë gjetur edhe një granatë të dytë. /abcnews.al/