I pranishëm edhe Presidenti i FSHF, mblidhet Asambleja e Përgjithshme e Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë

schedule17:16 - 16 Shkurt, 2024

schedule 17:16 - 16 Shkurt, 2024

Pas mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Shoqatës Rajonale të Futbollit Durrës dhe Gjirokastër, ditën e sotme në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” u zhvilluan punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme të Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë.

Në punimet e asamblesë morën pjesë 37 anëtarë të përfaqësuar nga 64 delegatë, ndërsa në rendin e ditës ishin diskutimi i raportit të aktivitetit të Shoqatës, miratimi i pasqyrave Financiare, miratimi i buxhetit për vitin 2024, zgjedhja e delegatëve që do të përfaqësojnë SHRFT-në në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF si edhe pranimi për antarësim.

I pranishëm në këtë mbledhje ishte edhe Abdyl Kuriu në cilësinë e anëtarit të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, i cili i uroi punime të mbarë anëtarëve të shoqatës. Ai u siguroi pjesëmarrësve mbështetjen e plotë të Federatës me projekte konkrete dhe bëri thirrje për të mbështetur sa më shumë vajzat në rrugën drejt futbollit.

Pas verifikimit të mandatëve të delegatëve të pranishëm, Kryetari i SHRFT-së, Krenar Alimehmeti, në një fjalim të gjatë evidentoi punën e bërë gjatë vitit 2023 dhe ngriti problematikat që duhen zgjidhur për të ardhmen. Gjithashtu ai tha se interesi i fëmijëve për t’u aktivizuar me sportin e bukur të futbollit është në rritje nga dita në ditë. Vetëm gjatë vitit 2023 janë regjistruar 20 ekipe të grup-moshës U-14 që nuk kanë qenë në sezonet e mëparshme.

Krytari i SHRFT-së, Krenar Alimehmeti, theksoi edhe njëherë që në fokus mbetet zhvillimi i futbollit të vajzave dhe shtoi se nga të gjithë duhet një përkushtim më i madh për të zgjidhur të gjitha problematikat.

Më pas me anë të votimit u miratuan pasqyrat financiare dhe buxheti për vitin 2024. Gjithashtu u zgjodhën edhe delegatët që do të përfaqësojnë SHRFT në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF të propozuar nga anëtarësia. Pas votimit të anëtarëve të SHRFT-së u zgjodhën delegatë Krenar Alimehmeti, Andi Lila, Enkele Likaj, Pavli Buneci, Erjon Stavri dhe Gelda Lilo.

Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë ju shtuan edhe dy anëtarë të rinj me të drejta të plota që janë: Akademia Selaci dhe Shoqata East Park. /FSHF

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!