Arrestohet i “forti” i Sukthit Rexhep Arapi, i njohur si Kep Arapi. Në pranga kanë rënë edhe nipi i tij, Alger Arapi. Aksioni është zhvilluar mëngjesin e së premtes nga policia e Durrësit për llogari të SPAK.
Gazetari Leonidha Musaj raporton se Arapi dyshohet se ka qenë i përfshirë në një tentativë vrasjeje së bashku me Dedan Gjonin në kohën kur ky i fundit ishte pjesë e policisë së Durrësit.
“Operacioni është kryer për llogari të SPAK për shkak se Arapi dhe nipi i tij në bashkëpunim me një ish efektiv të policisë së Durrësit, Dedan Gjoni kanë organizuar një vrasje, e cila mbeti në tentativë. Gjoni ka thirrur në ambientet e policisë së Durrësit shtetasin që do ta nxirrnin në pritë për ta ekzekutuar.”, tha gazetari.
Arapi është një person i njohur për policinë. Ai akuzohet për grup të strukturuar kriminal, trafikim të paligjshëm të emigrantëve dhe ka edhe dosje të tjera që kanë të bëjnë në lidhje me pronat në Gjirin e Lalzit./abcnews.al