I pandehur për korrupsion/ Kaso: Ka tendencë për ta përfunduar shpejt çështjen e tij. Minxhozi: Berisha që pas 2013 s’duhej të ishte kthyer

schedule20:46 - 11 Shtator, 2024

schedule 20:46 - 11 Shtator, 2024

TIRANË- Sekretari për Çështjet ligjore në Partinë Demokratike, Ivi Kaso, i ftuar në “Real Story”, u shpreh se në dosjen prej 500 faqesh në ngarkim të Sali Berishës nuk ka asgjë të re, që prej tetorit të vitit 2023.

Sipas tij jo vetëm që s’ka prova shtesë, por shtoi se ka shtrembërim faktesh.

“Nuk ka asgjë të re që nga tetori i kaluar dhe janë përsërit në akuzën e sotme. Ka shtrembërime të fakteve”, tha ai.

I pyetur se kur mund të fillojë shqyrtimi në gjykatë i çështjes së ish-kryeministrit, Kaso tha se vëren se ka një tendencë për ta përfunduar sa më shpejt, me qëllim që t’i lihet një njollë shtesë në veprimtarinë e tij politike të Sali Berishës.

“Unë parashikoj një periudhë rreth dymujore deri sa çështja penale, të fillojë shqyrtimin nga themeli. Shoh një tendencë për ta përfunduar, qoftë dhe një ditë para ditës së zgjedhjeve në mënyrë që të kihet argument publik nga mazhoranca që të thotë që Berisha nuk është vetëm non grata, por është i dënuar, pavarësisht se jo me vendim të formës së prerë. Sa i përket volumit të materialeve, nuk besoj se do jetë e mundshme që të procedojnë në mënyrë kaq të shpejtë. Shoh që ka tendence për t’u bërë shpejt për t’i ngelur edhe kjo njollë Sali Berishës”, tha ai.

Analisti Skënder Minxhozi, i pranishëm në “Real Story”, u shpreh se problemi i Berishës duhet të ishte zgjidhur që para 2013, në mënyrë që ai të mos ishte lejuar të kthehej me ambicie për t’u bërë kryetar i PD-së.

“Fati i Berishës nuk është për t’u vendosur sot, as këtë javë dhe as këtë muaj, sepse tani partia është në pozicion mbrojtës dhe do ta mbrojë kryetarin e saj përballë drejtësisë. Problemi i Berishës ka qenë një problem që duhet të ishte shtruar që pas 2013, në mënyrë që ai të mos rikthehet më. Zgjedhjet e fundit na thonë se jeni 300 mijë vota larg pragut për të fituar zgjedhjet”, shtoi ai./ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!