TIRANË- Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka kaluar për gjykim dosjen ndaj ish-kryeprokurorit të Vlorës Aurel Zarka.
Ky i fundit është marrë i pandehur për korrupsion dhe ushtrim ndikimi ndërsa emri i tij doli pas zbërthimeve te aplikacionit Sky ECC dhe Enchro Chat.
Nga ana tjetër gjykata ka veçuar dosjen për tre personat e tjerë, mes të cilëve ish-oficerja e BKH, Erjona Daupaj, avokati Radovan Çela dhe Astrit Vladi për shkak se nuk janë arrestuar ende nga policia dhe vijojnë të jenë në kërkim.
Sipas SPAK, kryeprokurori i Vlorës Aurel Zarka dhe personat e tjerë akuzohen se kanë ushtruar ndikim të paligjshëm për disa çështje penale që po hetoheshin në katër prokurori të ndryshme çështje të cilat lidhen kryesisht me aktivitete të krimit të organizuar si pastrimi i parave apo kultivimi i narkotikëve.
Interesi kryesor duket se lidhej me çështjen penale të njohur publikisht si “Toyota Yaris”, e cila u regjistrua pas bllokimit në portin e Durrësit në qershor të vitit 2018 të 3.4 milionë eurove, sasi kjo monetare, e cila u gjet e fshehur në dy makina të përdorura dhe të importuara nga Belgjika./abcnews.al