“Gjigantët” holandezë të Ajax e nisën në mënyrë më të keqe të mundshme, sezonin 2023-2024, me “Harkëtarët” e Amsterdamit, që vuajtën jo pak në fillimin e sezonit, ku pozicionoheshin vetëm 3 vende sipër fundit të tabelës, mirëpo tashmë pozitat kanë ndryshuar, me “tulipanët”, që renditen, në vendin e 5-të të tabelës së Eredivisie, me 25 pikë.
Për të shpëtuar sezonin, drejtuesit e klubit kanë menduar t’i hynë më “kokë” merkatos së janarit dhe i pari që kërkohet në skuadër është një mesfushor, me goxha eksperiencë, i cili në karrierën e tij ka arritur të fitojë tituj prestigjiozë, si UEFA Champions League, Premier League apo të arrijë edhe finalen e Kampionatit Evropian.
Bëhet fjalë për “dirigjentin” anglez, Jordan Henderson, me 33-vjeçarin, i cili gjatë verës, që sapo lamë pas u transferua te skuadra e Al-Ettifaq, në Arabinë Saudite, mirëpo ish-“ylli” i “Të Kuqve”, të Liverpool, nuk po arrin dot të përshtatet, si me jetesën ashtu edhe me stilin e lojës në Saudi Pro League dhe për rrjedhojë kërkon të nisë një tjetër “aventurë” në karrierën e tij.
Këtu hyjnë në “skenë” holandezët e Ajax, të cilët kanë bindur anglezin për transferimin, me këtë të fundit, që është i gatshëm të ulë ndjeshëm pagën e tij për t’u transferuar te “Harkëtarët” dhe tashmë “gjigantët” e Amsterdamit, duhet të arrijnë vetëm akordin me drejtuesit e Al-Ettifaq, me kartonin e Henderson, që vlerësohet në 8 milionë euro. /i.m /abcnews.al