I ofruan 2 milionë, por gjyqtarja kërkoi më shumë, detaje nga operacioni i SPAK në Elbasan

schedule10:54 - 22 Korrik, 2022

schedule 10:54 - 22 Korrik, 2022

Abc mëson detaje të reja nga operacioni i SPAK në Elbasan mëngjesin e sotëm (22 korrik)  lidhur me akuzat për korrupsion ndaj gjyqtares Zamira Vyshka.

Sipas burimeve të grupit hetimor, Xhulio Musaj, i dënuari për të cilin janë paguar lekët, ka qenë i dënuar për plagosje.

Familjarët kanë tentuar të korruptojnë gjyqtaren Vyshka nëpërmjet avokatit të tyre mbrojtës Ilir Pashaj , duke i ofruar 2 milionë lekë. Por pas takimit me gjyqtaren, sipas SPAK ajo ka kërkuar më shumë para.

Abc mësoi më herë se ngjarja ka ndodhur në 2021 dhe gjyqtarja ka marrë shumën e 4 milionë lekëve.

Lexo edhe: Zbulohet shuma që përfitoi gjyqtarja dhe avokati në Elbasan, kush është ish-gjyqtari që nuk pranoi t’i nënshtrohej Vettingut

Informacionet për këtë rast korrupsioni SPAK i ka marrë në rrugë operative dhe në sajë të përgjimeve, pasi janë sinjalizuar për këtë rast korrupsioni.

Për gjyqtaren Zamira Vyshka është ekzekutuar masa e sigurisë “arrest shtëpie.” Ndërkohë sipas njoftimit të SPAK, është ekzekutuar masa e sigurisë “arrest me burg” për avokatin Ilir Pashaj dhe shtetasit Taulant Ramollari e Xhulio Musaj.

Në arrest shtëpie është lënë edhe shtetasi A.T.

Avokati Ilir Pashaj ka qenë gjyqtar në Elbasan. Sipas burimeve të Abc, Pashaj u largua nga sistemi para vettingut për mos plotësim të formularit të deklarimit. Prej 4 vitesh ushtron detyrën e avokatit./Abcnews.al/