I nxorën emrin te kokaina në Kosovë, biznesmeni flet për Abcnews.al: E vërteta e kamionëve

schedule16:42 - 17 Maj, 2021

schedule 16:42 - 17 Maj, 2021

Në një operacion ndërkombëtar të sinjalizuar nga DEA, sot në Kosovë u bllokua mbi 400 kg kokainë të nisur nga Brazili dhe që kaloi nga porti i Durrësit për në Lipjan që ndodhet magazina ku do të shkarkohej. Droga ishte e fshehur në një ngarkesë e kamufluar me mish.

Gazeta “Insajderi” në një artikull theksonte se kamioni me sasinë mbi 400 kg është kapur në komunën e Lipjanit, si destinacion i fundit, aty ku ndodhet depoja e kompanisë “MC Foods”. Kjo kompani, thuhej më tej në shkrim është në pronësi të biznesmenit nga Kosova, Izet Sheqri dhe atij nga Shqipëria, Bledar Habili.

Abcnews.al kontaktoi me Bledar Habilin, i cili mohoi lajmin e dalë në media. Ai u shpreh se kamioni nuk është në pronësi të tij dhe se shoqëria e hapur prej tij në muajin tetor të vitit të kaluar ende nuk ka në pronësi asnjë mjet transporti.

Nuk është në pronësi tonë o vëlla kamioni, nuk ka lidhje fare. Ata që kanë shkruar emrin do të mbajnë përgjegjësi. “MC Foods” ka në Kosovë, “MC Foods” ka në Shqipëri. Është gabim. Ky kamion nuk është në pronësinë e firmës sime.

Nuk kemi asnjë kamion si shoqëri. Ne jemi hapur në tetor të vitit të kaluar dhe nga atëherë nuk kemi asnjë kamion apo makinë” tha ai për Abcnews.al. Gjithashtu, Habili u shpreh se nga autoritetet nuk ka pasur asnjë marrje në pyetje.

Në ekstraktin e QKB-së, kompania “MC Food” rezulton se është hapur në 18/11/2020. Me administrator Bledar Habilin dhe ortak Izet Sheqirin shoqëria ka si objekt tregtimin me shumice e pakice, import eksport te artikujve të ndryshëm ushqimore e industriale, fruta perime, automjete, pjesë këmbimi, prodhim dhe tregtim materiale ndërtimi, inerte etj.

Gjithashtu “Therje – përpunim mishi, import – eksport mishi te llojeve te ndryshme. Magazine frigoriferike per mallra ushqimore” sipas ekstraktit./ db/ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!