Mbrëmjen e së enjtes, “legjionarët” e Kombëtares sonë do të presin në mitikun “Air Albania”, përfaqëuesen e Çekisë, në përballje e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Evropian të futbollit, Euro 2024, sfidë e cila pritet të jetë vendimtare në lidhje me kualifikimin e “shqiponjave” tona në fazën e grupeve të kompeticionit më të rëndësishëm për ekipet Kombëtare në Evropë.
Në konferencën për shtyp në kuadër të përballjes ndaj “legjionarëve” tanë përveç teknikut të çekëve, Jaroslav Silhavy ishte dhe “shkatërruesi” i mesfushës, Tomas Soucek, i cili fillimisht u shpreh se në Tiranë kanë ardhur për fitore, e më tej në fjalët e tij u shpreh se i njohin cilësitë e Shqipërisë.
Konferenca për shtyp e Tomas Soucek:
Prezenca e zëvendës-trajnerit të Shqipërisë, Zabaleta te West Ham në ndeshjen e fundit…
Zabaleta-n e njoh prej kohësh. Ai më ka mirëpritur te West Ham, ndërsa me të kemi biseduar edhe për këto ndeshje.
Gjashtë ndeshje dhe 4 gola, si ndjeheni?
Jam i lumtur për formën time, ndjehem shumë mirë dhe shpresoj që edhe ndaj Shqipërisë të kem këtë formë.
Goditjet standarde, mendoni se është një opsion më shumë për të mundur Shqipërinë?
Çdo moment duhet vlerësuar, por ne do të fokusohemi te loja jonë, sepse nuk mund të mendosh të fitosh një ndeshje vetëm me goditje standarde. Nëse ndodh atëherë do të na ndihmonte më shumë.
Për çfarë rezultati keni ardhur?
Sinqerisht e them, në Tiranë kemi ardhur për të fituar. Në Pragë ne luajtëm për tre pikët, por gjërat nuk shkuan ashtu siç menduam ne, me Shqipërinë që gjeti golin e barazimit.
Me çfarë ju surprizojë Shqipëria në ndeshjen e parë dhe a e keni studiuar kundërshtarin që në kohët e fundit ka shënuar shumë nga distanca?
Shqipëria e tregoi kualitetin edhe në fushën tonë. Kanë një skuadër shumë të mirë, kanë lojtarë që luajnë në kampionatet më të rëndësishme të Europës, por kjo na motivon më shumë. Sa u përket golave nga distanca, mendoj se nuk do të jetë problem sepse disponojmë një portier shumë të mirë.
Çfarë mendoni për stadiumin Air Albania?
Stadiumi është vërtet shumë i bukur, ju përgëzoj, ndërsa mendoj se atmosfera që do të krijohet, ne duhet ta kthejmë në favorin tonë?
Transfertat nuk janë pika e fortë e Çekisë, si e shihni këtë përballje?
Atmosferën ne dimë, e vlerësojmë dhe bësoj se pavarësisht se luajmë në transfertë, ne do të bëjmë gjithçka për të marrë maksimumin. Ndeshja me Shqipërinë na motivon shumë. Ne jemi këtu për të marrë një rezultat të mirë dhe nuk futemi me idenë e barazimit. /i.m /abcnews.al