Dy turistë kanadezë kanë mbetur të bllokuar për disa orë në një përrua në zonën e Skraparit. Policia njofton se ata kanë kërkuar ndihmë pasi makina e tyre kishte ngelur në baltë dhe ata nuk e dinin vendin ku ishin bllokuar.
Pas kërkimeve është bërë e mundur gjetja dhe nxjerrja e tyre nga vendi ku kishin ngelur dhe më pas janë shoqëruar për në rrugën kryesore.
“Policia në ndihmë të turistëve kanadezë. Rreth orës 13:50, në Komisariatin e Policisë Skrapar ka mbërritur një telefonatë nga dy turistë kanadezë, të cilët kërkonin ndihmën e Policisë, pasi për shkak të terrenit të vështirë mjeti i tyre kishte ngelur në baltë në një përrua dhe ata nuk dinin vendin ku kishin ngelur.
Shërbimet e Policisë menjeherë pasi morën njoftimin, nisën kërkimet për turistët dhe pas disa orësh bënë të mundur gjetjen e tyre.
Punonjësit e Policisë iu kanë dhënë ndihmë turistëve, duke u nxjerrë mjetin nga vendi ku kishin ngelur dhe më pas i kanë shoqëruar deri në rrugën kryesore. Turistët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe kanë falënderuar Policinë për ndihmën e dhënë”, njofton policia. m.v/abcnews.al